“Tavolina ishte e shtruar, sapo kishin mbaruar darkën” – Dëshmia e fqinjit që gjeti të pajetë familjen shqiptare në Itali!

Aktualitet

“Tavolina ishte e shtruar, sapo kishin mbaruar darkën” –

Shuarja e katër anëtarëve të familjes Kola, që u gjetën të pajetë mbrëmjen e së mërkurës për shkak të asfiksimit nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre në Porcari në Italisë, ka tronditur mbarë opinionin italian dhe shqiptar.

Trupat u gjetën në të njëjtën dhomë në katin e dytë të shtëpisë. Babai Arti dhe djali Hajdar u gjetën të shtrirë në dysheme, vajza Xhesika u gjet pranë pranë tyre dhe nëna Jonida në shtrat. Ata u gjetën nga xhaxhai Durim Kola, i ndihmuar nga karabinierët si edhe dy fqinjë.

Sipas dëshmive, e gjithë shtëpia ishte e mbushur me monoksid karboni, i cili është pa erë dhe ngjyrë. Ernest Çela dhe i ati i tij ishin dy fqinjët që hynë në banesë.

“Ai na lajmëroi sepse familja nuk po përgjigjej në telefon, si dhe dy oficerët e karabinierisë që ishin të pranishëm në vendngjarje. I gjetëm në katin e dytë. I dëgjova rrahjet e zemrës së tyre dhe ata ishin ende gjallë, të paktën djali dhe babai i tij. Madje u përpoqën të hapnin sytë. Ne u përpoqëm t’i zgjonim dhe t’i ringjallnim, pastaj xhaxhai i ra të fikët dhe ne dhe policia filluam të ndiheshim marramendës. Në atë moment, dolëm nga shtëpia dhe pritëm që të mbërrinin zjarrfikësit. Pastaj i pamë duke transportuar trupat jashtë”, tha Ernesti.

Babai i Ernestit thotë se nuk dyshuan te monoksidi i karbonit sepse nuk kishte erë gazi në shtëpi. Ai tha se tavolina poshtë ishte ende e shtruar dhe se dukej që sapo katër familjarët kishin mbaruar së darkuari.

“Nuk menduam për monoksidin e karbonit, ishte hera e parë që më ndodhte mua”, shpjegon babai i të riut, “dhe nuk kishte erë gazi në shtëpi. Tavolina poshtë ishte ende e shtruar, dukej sikur sapo kishin mbaruar darkën”.

Në vitin 1992, në Porcari, një familje tjetër vdiq nga helmimi me monoksid karboni.

Në shkurt të vitit 1992, një familje tjetër vdiq në Porcari nga një helmim i ngjashëm, dhe qyteti i vogël në fushën e Luccës po përjeton të njëjtën tragjedi edhe tani. Në shenjë zie, ngjarjet e Karnavalit të fundjavës janë anuluar, por është planifikuar një vigjilje lutjeje. Ndërkohë, banorët dhe të njohurit kanë lënë buqeta me lule dhe një tullumbace të kuqe në formë zemre përpara shtëpisë së familjes Kola.

“Kjo është një tragjedi që na ka prekur tmerrësisht, është një dhimbje për të gjithë, dhe dhimbja e tanishme është e kombinuar edhe me kujtimin e një ngjarjeje identike, e cila ndodhi në shkurt të vitit 1992”, kujtoi kryebashkiaku Leonardo Fornaciari, “kur një familje me katër anëtarë, një baba, një nënë dhe dy vajza, humbën jetën në shtëpinë e tyre për shkak të një defekti në kaldaje”.

Kryebashkiaku shtoi: “Është një moment trishtimi aktual që sjell në mendje një tragjedi të kaluar që ky vend nuk e ka harruar.”

ME TE LEXUARAT