Nga presidenti te magjistratët, qeveria miraton indeksimin e pagave për disa kategori

Aktualitet

Nga presidenti te magjistratët, qeveria miraton indeksimin e pagave

Qeveria ka marrë sot, më 6 shkurt, një vendim, që prek pagat e një pjese të konsiderueshme të administratës publike. Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë vendimesh që parashikon indeksimin me 2.5% të pagave dhe të elementeve përbërëse të tyre për disa kategori të administratës publike për vitin 2026.

Sipas vendimit të miratuar, indeksimi synon të ruajë fuqinë blerëse të pagave dhe të reflektojë ndryshimet ekonomike, duke garantuar një rritje të përgjithshme për funksione dhe struktura të caktuara shtetërore. “Në kuadër të indeksimit vjetor të pagave, miratohet rritja me 2.5% e pagave dhe e elementeve përbërëse të tyre për disa kategori të administratës publike”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Kush përfiton nga rritja e pagave

Vendimet e miratuara përfshijnë një gamë të gjerë institucionesh dhe funksionesh. Konkretisht, përfitues nga indeksimi do të jenë:

Presidenti i Republikës, përmes rritjes së pagës përkatëse;

Funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, për të cilat rritet paga referuese bazë;

Garda e Republikës;

Policia e Burgjeve;

Koordinatorët kundër korrupsionit;

Punonjësit mbështetës në administratë;

Specialitete të ndryshme të administratës publike;

Personeli i sistemit shëndetësor.

Sipas Këshillit të Ministrave, këto masa synojnë harmonizimin e strukturave të pagave dhe përmirësimin e kushteve financiare për kategori të ndryshme të punonjësve të shtetit.

Krahas indeksimit të pagave, vendimi parashikon edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve në disa sektorë. Këto rregullime synojnë të adresojnë veçoritë e funksioneve të caktuara dhe ngarkesën specifike të punës në sektorë të ndjeshëm.

“Në disa sektorë parashikohen rregullime të shtesave dhe kompensimeve, në përputhje me natyrën e funksionit dhe përgjegjësitë përkatëse”, theksohet në vendim.

Efektet financiare

Sipas Këshillit të Ministrave, efektet financiare të këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026, pa krijuar kosto shtesë jashtë planifikimit buxhetor.

Vendimet do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet financiare do të jenë të zbatueshme që nga 1 janari 2026. Me këtë vendim, qeveria synon të garantojë stabilitet dhe vazhdimësi në politikat e pagave, duke mbështetur administratën publike dhe sektorët kyç të shërbimit ndaj qytetarëve.

ME TE LEXUARAT