Një i vrarë dhe dy të plagosur më 20 shkurt, tre krimet brenda një dite në Tiranë, asnjë i arrestuar

Tri ngjarje të rënda tronditën kryeqytetin të premten e 20 shkurtit. Brenda një harku të shkurtër kohor, një 31-vjeçar u vra me thikë, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur një 34-vjeçar me armë zjarri dhe një 27-vjeçar me mjet prerës.
Për të treja ngjarjet, megjithëse policia ka identifikuar autorët, asnjëri prej tyre nuk është arrestuar dhe vijojnë të jenë në arrati. Ngjarja më e rëndë ishte ajo ku humbi jetën 31-vjeçari Egli Pashollari. Edhe pse rasti u zbardh në kohë, autori i dyshuar, Gazmend Buçpapaj, ende nuk është vënë në pranga.
Krimi ndodhi për motive të dobëta, pasi Buçpapaj kishte bllokuar rrugën me automjetin e tij në zonën e ish-Parkut, pranë banesës së viktimës. Konflikti verbal agravoi në dhunë fizike dhe përfundoi me përdorimin e thikës. Pas ngjarjes, Buçpapaj u largua në këmbë nga vendi i krimit së bashku me bashkëshorten dhe mori një taksi për t’u kthyer në banesë, ku më pas policia humbi gjurmët e tij.
Rreth 10 minuta më vonë, një tjetër krim u regjistrua shumë pranë vendit të vrasjes. Në Rrugën e Kavajës, 34-vjeçari Akil Koxhaxhiku u plagos me armë zjarri. Edhe ky konflikt ndodhi për motive të dobëta, ndërsa autori i dyshuar, Besjan Ferazini, u largua nga vendngjarja dhe ende nuk është arrestuar.
Si vrasja e Egli Pashollarit dhe plagosja e Akil Koxhaxhikut ndodhën të dyja në zona të cilat janë në juridiksionin e komisariatit nr.2, i cili ndodhet pranë dy vendeve të ngjarjeve.
Ngjarja e tretë u shënua në zonën e Kombinatit, ku një 27-vjeçar u paraqit në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore pasi ishte plagosur me thikë, sipas njoftimit zyrtar të policisë. Edhe në këtë rast, autori mbetet në arrati. (A2


