Paguan para për të liruar Albi Fejzullain, SPAK mbyll hetimet ndaj 4 të pandehurve/ EMRAT
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër persona të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, në lidhje me ndërhyrje të paligjshme në një procedim penal për tentativë vrasjeje në Dibër.
Të pandehurit në këtë çështje janë:
-Shuaip Cami (1960), ish-oficer i policisë gjyqësore në Dibër, akuzohet për “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”,
-Flamur Kurti (1962), banues në Tiranë, i akuzuar për “Korrupsion aktiv ndaj gjyqtarëve dhe funksionarëve të drejtësisë”,
-Fluturim Bajrami (1975), banues në Itali, akuzohet për “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,
-Aldo Puca (1980), ish-oficer i policisë gjyqësore, akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”.
Në qendër të hetimeve është ngjarja e ndodhur më 10 janar 2020 në fshatin Herbel të Dibrës, ku shtetasi Albi Fejzullai akuzohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Elton Lleshi.
Sipas SPAK, pas ndalimit të autorit, disa persona kanë ndërhyrë për të ndikuar në hetim. Oficeri i Policisë Gjyqësore, Ergest Dobi, dyshohet se ka marrë para në mënyrë të përsëritur nga shtetasit Irfan Fejzullai dhe Bledar Hoxha, me qëllim favorizimin e autorit të dyshuar. Gjithashtu, Bledar Hoxha akuzohet se ka ndërhyrë për të organizuar një marrëveshje pajtimi mes autorit dhe viktimës, në këmbim të pagesës. Ndërkohë, Ergest Dobi, në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, dyshohet se ka fshehur prova, ka ndërprerë përgjimet pa autorizim dhe ka manipuluar veprime hetimore. Në listën e të pandehurve është edhe shtetasi Irfan Fejzullai, i afërm i autorit të dyshuar, i cili akuzohet për korrupsion aktiv ndaj punonjësit të policisë.
SPAK thotë se veprimet e këtyre personave kanë pasur për qëllim shmangien e ndëshkimit penal për autorin e krimit dhe kanë cenuar rëndë integritetin e hetimit.
Tashmë, dosja i është kaluar për gjykim Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.