Parandalohet ngjarja kriminale në Vlorë! Policia gjen “Audi Q5”, një automjet tjetër dhe tre bidona benzine…

Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale, pas një operacioni kontrolli në zonën rurale të rrethit.
Gjatë verifikimeve në një sipërfaqe me ullinj në fshatin Babicë e Madhe, efektivët kanë gjetur të fshehura dy automjete me targa të huaja, që dyshohet se janë të vjedhura. Bëhet fjalë për një “Nissan” dhe një “Audi Q5”, pranë të cilave u zbuluan edhe tre bidona me benzinë.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se mjetet dhe karburanti do të përdoreshin për kryerjen e një vepre të rëndë penale.
Automjetet dhe provat e sekuestruara janë dërguar për ekspertim kriminalistik, ndërsa një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve.


