Sa duhet të zgjasë një përqafim që të ndihet vërtet? Studimet japin përgjigjen

Pa filtra, pa teknologji, pa komplikime.
Në një kohë kur komunikimi gjithnjë e më shumë po ndërmjetësohet nga ekranet, nevoja për kontakt fizik njerëzor mbetet po aq themelore sa dikur, ndoshta edhe më shumë
Prej dekadash psikologët dhe neuroshkencëtarët theksojnë se afërsia fizike nuk është luks emocional, por nevojë biologjike.
Disa sekonda prekjeje mund të sjellin më shumë ngushëllim sesa dhjetë mesazhe mbështetjeje, ndërsa një përqafim i vërtetë shpesh thotë më shumë se çdo fjalë.
Terapistja e njohur familjare Virginia Satir ka theksuar se përqafimet janë nevojë themelore emocionale, po aq të rëndësishme sa ushqimi apo gjumi. Edhe pse numrat shpesh përdoren si metaforë, hulumtimet bashkëkohore konfirmojnë atë që trupi e di prej kohësh, nuk është vendimtar numri i përqafimeve, por prania, cilësia dhe kohëzgjatja e tyre.
Pse pikërisht 20 sekonda bëjnë ndryshimin
Shkenca këtu është çuditërisht e qartë. Studimet tregojnë se një përqafim që zgjat rreth 20 sekonda aktivizon sekretimin e oksitocinës, hormonit të lidhur me besimin, qetësinë dhe lidhjen emocionale. Njëkohësisht ulet niveli i kortizolit, hormonit të stresit, i cili e mban trupin në gjendje tensioni dhe vigjilence.
Në eksperimente ku njerëzit ishin të ekspozuar ndaj situatave stresuese, si një fjalim publik, intervistë pune apo presion social, ata që më parë kishin marrë një përqafim të shkurtër, por të ngrohtë nga një person i afërt, shfaqnin dukshëm më pak ankth dhe ritëm më të qëndrueshëm të zemrës. Trupi, thënë thjesht, ndihej më i sigurt.
Kjo shpjegon pse përqafimet janë veçanërisht të fuqishme në momente krize, pikëllimi apo pasigurie: ato i japin trupit sinjalin se “nuk je vetëm”.
Çfarë ndodh në tru dhe trup gjatë një përqafimi?
Përveç oksitocinës dhe kortizolit, përqafimi ndikon edhe në:
Sistemin nervor parasimpatik, i cili ul ritmin e zemrës dhe nxit relaksimin
Ndjesinë e lidhjes sociale, që lidhet me shëndetin mendor afatgjatë
Uljen e ndjenjës së vetmisë, edhe nëse përqafimi zgjat vetëm pak çaste
Në thelb, përqafimi vepron si një “mikro-terapi” e menjëhershme, e natyrshme dhe pa kosto.
Po kur përqafimi nuk është opsion?
Është interesante se efekti nuk vjen domosdoshmërisht vetëm nga një person tjetër. Studime nga Japonia kanë treguar se edhe vetë pozicioni i përqafimit , krahët që hapen dhe rrethojnë diçka pranë trupit, mund të ketë efekt qetësues.
Në eksperimente ku pjesëmarrësit gjatë bisedave stresuese mbanin një jastëk të butë në formë figure njerëzore, u regjistruan nivele më të ulëta të hormoneve të stresit krahasuar me ata që nuk kishin asnjë kontakt fizik. Edhe përqafimi i vetes, mbajtja e duarve në gjoks apo mbështjellja me një batanije të ngrohtë mund të ofrojë një ndjesi sigurie.
Mesazhi është i qartë: trupit i duhet ndjenja e mbështetjes, qoftë edhe simbolike. Nuk është iluzion, por reagim fiziologjik.
Përqafimi si luks i përditshmërisë moderne
Në një botë ku luks shpesh nënkupton gjëra materiale, përqafimi po shfaqet si një nga format më të pastra të tij. Nuk kushton asgjë, nuk kërkon planifikim dhe sjell menjëherë ndjenjën e pranisë, qetësisë dhe lidhjes.
Është një ritual i vogël, intim, që na kujton se siguria nuk vjen nga simbolet e jashtme të statusit, por nga marrëdhëniet që ndërtojmë dhe kujdesi që tregojmë për njëri-tjetrin.
Përqafimi si kujdes për shëndetin mendor
Edhe pa një ditë të veçantë kalendarike, përqafimi mbetet një mjet i fuqishëm për mirëqenien emocionale. Në kohë pasigurie, stresi apo vetmie, ai mund të jetë një mënyrë e thjeshtë për të rikthyer ekuilibrin.
Ndonjëherë, pikërisht ato njëzet sekonda janë të mjaftueshme për ta kthyer ditën në drejtimin më të mirë dhe, për t’i kujtuar vetes se lidhja njerëzore mbetet një nga burimet më të forta të forcës sonë.

