Protesta kundër resortit të Bashkim Ulajt, arrestohen 2 banorë të Rrjollit! 15 të tjerë shpallen në kërkim

Dy banorë të fshatit Baks-Rrjoll u arrestuan, shtatë po hetohen në gjendje të lirë dhe 15 të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia, pas protestës së fortë të së shtunës në Rrjoll të Velipojës, ku banorët kundërshtuan ndërtimin e resortit “Blue Borgo”, nga botuesi dhe biznesmeni Bashkim Ulaj duke thyer makineri të kantierit, përplasur me punonjës sigurie dhe lënë të plagosur një prej tyre.
Të revoltuar, ata pretendojnë se Ulaj po u grabit pronat për të ndërtuar resortin e tij.
Në pranga ranë personat me inicialet N.M., 51 vjeç, dhe T.Sh., 45 vjeç, banues në Baks-Rrjoll. Ata dyshohen për “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”.
Sipas policisë, gjatë protestës "janë goditur punonjës të kompanisë private të sigurisë që ruante kantierin dhe janë dëmtuar rëndë disa makineri të subjektit që po ndërton kompleksin turistik".
Shtatë persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë për “Shkatërrim prone” dhe “Kundërshtim të punonjësit”, ndërsa 15 janë shpallur në kërkim për të njëjtat vepra penale. Hetimet vijojnë, thotë policia./Shqiptarja


