“Shqipëria nuk është në shitje”!/ Në 18:00 qytetarët në shesh kundër projektit në Zvërnec, PD i bashkohet tubimit…

Aktualitet

“Shqipëria nuk është në shitje”!/ Në 18:00

Qytetarët pritet të zbresin sërish sot në orën 18:00 në sheshin kryesor të Tiranës, në një protestë kundër projektit në zonën e Zvërnecit, i cili ka shkaktuar debat të gjerë publik dhe reagime të forta ditët e fundit.

Me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”, protestuesit pritet të zhvillojnë një marshim në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, duke shprehur kundërshtinë e tyre ndaj ndërhyrjeve që, sipas tyre, prekin zonat e mbrojtura dhe interesin publik.

Organizatorët kanë deklaruar se protesta vjen në vijim të zhvillimeve të fundit në Zvërnec, ku janë regjistruar edhe tensione dhe përplasje.

Ndërkohë, në kuadër të protestave të paralajmëruara për sot, është njoftuar gjithashtu edhe një tjetër tubim, kësaj here kundër terapisë hormonale në shërbimet shëndetësore të Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT).

Kësaj proteste do t’i bashkohet edhe PD, ndërsa sot demokratët kanë anuluar foltoren e të hënës para godinës qeveritare.

“Në ndjekje të zhvillimeve shoqërore dhe politike, Partia Demokratike nuk do të zhvillojë sot Foltoren e përjavshme të së hënës përpara Kryeministrisë, por do të marrë pjesë në mbështetje të tubimit të Aleancës për Familjen kundër terapive hormonale për ndryshimin e gjinisë, të cilat, sipas organizatorëve, përbëjnë pjesë të një agjende që dëmton familjen. Tubimi do të zhvillohet në orën 18:00 në Sheshin ‘Skënderbej’”, thuhet në njoftimin e PD të shpërndarë për mediat.

ME TE LEXUARAT