Tarifë 700 lekë për plazhet publike në Vlorë, Këshilli Bashkiak miraton projekt-vendimin

Këshilli Bashkiak i Vlorës ka miratuar vendosjen e një tarife prej 700 lekësh për përdorimin e plazheve publike, një vendim që ka shkaktuar debat të gjerë mes këshilltarëve.
Projektvendimi u mbështet nga shumica e majtë në këshill, ndërsa këshilltarët e opozitës votuan kundër. Gjatë votimit u vu re edhe një qëndrim i ndryshëm brenda mazhorancës, ku një këshilltare socialiste nuk e mbështeti vendimin dhe votoi kundër linjës së grupit.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Vlorë, Atird Hoxha, e ka kritikuar ashpër vendimin, duke e cilësuar atë të paqartë dhe jo transparent për qytetarët.
Nga ana tjetër, përfaqësues të shumicës kanë argumentuar se tarifa vendoset për të mbuluar kostot e menaxhimit dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike bregdetare, por pa dhënë detaje të plota gjatë mbledhjes.
Çështja e tarifimit të plazheve publike mbetet e debatueshme, ndërsa qytetarët dhe pushuesit shtrojnë shqetësimin nëse kjo masë do të sjellë përmirësim të shërbimeve apo vetëm një rritje të barrës financiare për aksesin në bregdet.
Vlen të kujtohet se në një mbledhje të mëparshme ishte diskutuar edhe një tarifë prej 500 lekësh, por më pas Bashkia kërkoi rishikim të saj, duke argumentuar se nuk mbuloheshin kostot operative, çka çoi në miratimin e tarifës së re prej 700 lekësh.


