U dogj brenda makinës në Llogara, viktima ish-efektiv policie

Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të hënë në zonën e Llogarasë, ku një person u gjet i djegur brenda automjetit të tij tip “BMW”.
Sipas A2 CNN, në vendngjarje nuk janë gjetur armë apo gëzhoja, duke përjashtuar deri tani pistën e një vrasjeje, ndërsa dyshohet se viktima është një ish-efektiv policie me origjinë nga Berati.
Nga verifikimet e kryera, kamerat e sigurisë të bizneseve pranë zonës kanë treguar se personi ka qenë i vetëm kur ka hyrë në Llogara.
Dyshohet se ai ka spërkatur automjetin me benzinë dhe më pas është futur brenda tij, duke u djegur plotësisht nga flakët.
“Rreth orës 14:35, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendit të quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku kanë konstatuar një automjet duke u djegur. Brenda automjetit dyshohet se si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën dhe është djegur një shtetas ende i paidentifikuar, në sediljen e drejtuesit të mjetit”,– njoftoi sot Policia.


