U emërua prefekt i Tiranës, Shkëlqim Hajdari merr detyrën: Ligji do jetë busulla ime!

Aktualitet

U emërua prefekt i Tiranës, Shkëlqim Hajdari merr detyrën:

Shkëlqim Hajdari mori zyrtarisht detyrën e prefektit të Tiranës. Në fjalën e tij gjatë prezantimit, ai tha se ligji do të jetë busulla që do ta orintojë në punën e tij. Hajdari u shpreh se prefektura do të jetë një urë bashkëpunimi sepse qytetarët, u shpreh ai, kanë nevojë për institucione që flasin.

“Njoh çdo lagje të Tiranës, njoh nga afër çdo fshat, fushë dhe kodër dhe Malin e Dajtit. Njoh qytetarë të vjetër e të rinj. Sot dua të them me zemër të hapur se do të jem prefekti i të gjithëve, që jetojnë në këtë metropol pa dallime. Tirana është e fortë vetëm kur qytetarët janë të bashkuar.

Në ushtrimin e kësaj detyre ligji do të jetë busulla ime e vetme. Drejtimi dhe koordinimi i bashkive dhe institucioneve  do të behet me paanshmëri dhe respekt. Prefektura do të jetë një urë bashkëpunimi sepse qytetarët kanë nevojë për institucione që flasin”, tha Hajdari.

Shkëlqim Hajdari u shpreh se kjo mund të jetë detyra e tij e fundit në shërbim të shtetit shqiptar, ndaj siguroi se do të punojë me përgjegjshmëri.

“Kam 35 vjet që punoj për shtetin shqiptar. Por funksioni i prefektit do të jetë për mua më i bukuri, më i dashuri dhe më i përkushtuari, ndoshta edhe i fundit. Do ta mbyll me nder dhe të le gjurmë të mira”, u shpreh ndër të tjera prefekti i ri i Tiranës.

ME TE LEXUARAT