U plagos me plumb në bark pas tentativës për t’i shpëtuar arrestimit/ Si paraqitet gjendja e Leonard Demës

Një operacion i Policisë së Shtetit në aksin Mamurras–Laç ka përfunduar me arrestimin e dy personave dhe plagosjen e një 23-vjeçari të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pas një përplasjeje të rrezikshme me forcat operacionale.
Sipas informacioneve zyrtare, operacioni është zhvilluar nga strukturat e Forcës së Posaçme Operacionale në kuadër të kontrolleve për kapjen e personave në kërkim, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Si ndodhi ngjarja
Gjatë ndërhyrjes në një karburant përgjatë aksit Mamurras–Laç, i riu dyshohet se ka tentuar të përplaste efektivët e policisë me automjet për t’i shpëtuar arrestimit.
Në të njëjtën kohë, personi që e shoqëronte ka nxjerrë armë zjarri dhe e ka drejtuar ndaj efektivëve.
Në këto kushte, policia ka ndërhyrë duke neutralizuar situatën në kushtet e vetëmbrojtjes, ku si pasojë Leonard Dema është plagosur me armë zjarri në bark. Ai është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës dhe po trajtohet nën kujdes intensiv mjekësor.
Sipas burimeve, gjendja e tij paraqitet e stabilizuar dhe është nën monitorim të vazhdueshëm nga ekipi mjekësor. Ndërkohë shtetasi Amadeo Fufi, 28 vjeç është arrestuar ndërsa është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë që ai posedonte. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.


