Vrasja e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj në Vlorë/ Flet partnerja: Ai dilte ndonjëherë natën…
Për vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj ende nuk ka dyshime mbi ndonjë autor të mundshëm dhe motivin e këtij krimi. Por kemi arritur të mësojmë pak mbi përditshmërinë e të ndjerit përmes bashkëjetueses së tij, K.Rakipaj.
Në një intervistë ekskluzive për Klan News, zonja Rakipaj është shprehur se në dijeninë e saj, 58-vjeçari nuk ka ndjerë kërcënim, e as nuk është përfshirë në ndonjë konflikt të mëparshëm. Rutina e tij ndryshoi kohët e fundit, pasi Hoxhaj nuk ka pasur një orar të rregullt të kthimit në shtëpi, apo të daljes nga banesa.
Çifti bashkëjetonte prej rreth 2 vitesh në shtëpinë e të ndjerit Hoxhaj. Bashkëjetuesja shprehet për gazetaren se prej gati 1 viti e gjysmë ai nuk punonte më si roje. Rakipaj tregon dhe pak nga ajo se çfarë ajo ka dëshmuar para uniformave blu. Sipas saj, ajo ka dëgjuar të shtënat e armës teksa ndodhej në shtëpi, por i ka konsideruar si fishekzjarre. Pas rreth 2 orësh, ajo ka dalë nga banesa, dhe ka parë Hoxhajn të pajetë. Ka njoftuar ndihmën e shpejtë, por 58-vjeçari kishte ndërruar jetë që në vendngjarje.
Bashkëjetuesja e të ndjerit, edhe pse nuk është në dijeni të ndonjë konflikti të mundshëm të viktimës, është larguar nga banesa ku të dy jetonin, pasi shprehet se ka frikë.
Intervista e plotë:
Pyetje: Pra ju bashkëjetonit prej dy vitesh?
Rakipaj: Po, e ai punonte roje.
Pyetje: Prej sa vitesh punonte i ndjeri, tek subjekti në afërsi të banesës?
Rakipaj: Ai përpara rrinte, ruante… kishte lokalin, ishin shtëpi ato më përpara. Si u prishën shtëpitë, e u bë ai pallati, edhe rrinte në shtëpi ai pastaj. Nuk shkonte më tek puna. Vetëm në mëngjes ulej ky, nga ora 06:30.
Pyetje: Prej sa kohësh nuk punonte më?
Rakipaj: Vajti goxha që nuk shkonte më tek puna. Nuk rrinte roje natën.
Pyetje: Një vit e gjysmë?
Rakipaj: Po, po. E nuk shkonte më. Vetëm ditën.
Pyetje: Ti sot je larguar nga shtëpia dhe je strehuar tek mikesha jote. Pse je larguar nga shtëpia? Ke frikë? Ndihesh e kërcënuar?
Rakipaj: Kam frikë. Ku të vete të rri?
Pyetje: A është ndjerë ndonjëherë bashkëjetuesi juaj i kërcënuar? A ka pasur ai ndonjë konflikt të mëparshëm?
Rakipaj: Jo, jo.
Pyetje: Si mendoni ju, pse është shtënë me armë zjarri ndaj tij?
Rakipaj: S’e di. As vetë s’e di. S’më tregonte, që ka pasur këtë, ka pasur atë…
Pyetje: Pra, ai nuk është shprehur se ndonjëherë…
Rakipaj: Jo, jo. As më ka thënë asgjë. Të më thoshte mua kam këtë e atë, s’më thoshte fare. Se ai dilte, ikte. Ai sa vinte ikte. Ka ikur e në 2 të natës.
Pyetje: Pra po thua që nuk kishte një orar të rregullt që kthehej e vinte në shtëpi.
Rakipaj: Ky vinte, shkonte në punë. Dilte ndonjëherë në natë të vona, edhe… unë isha në punë. Ikja në punë unë, në orën 19:30, të darkës, edhe vija deri nga ora 03:00 të mëngjesit. E kur vija e gjeja në shtëpi. Në gjumë. Edhe ngrihej nga gjumi ky, e ikte poshtë te lokali e shkonte pinte kafen aty. Rrinte aty gjatë ditës. Pastaj ikte, lëvizte. Ku di unë nga lëvizte ai. Se unë s’do ruaja atë se nga shkonte.
Pyetje: Pra, ti po thua se nuk je në dijeni të ndonjë konflikti të mëparshëm që bashkëjetuesi juaj kishte.
Rakipaj: Nuk e di.
Pyetje: A është ndjerë ai ndonjëherë i kërcënuar?
Rakipaj: Për këtë nuk di ç’të thëm. Nuk më ka thënë asgjë.
Pyetje: Ti personalisht jo.
Rakipaj: Jo, jo. Unë s’di asgjë për vete.
Pyetje: Çfarë kërkoni sot?
Rakipaj: Unë kërkoj për veten time, ja tani, ku të rri.
Pyetje: Ku jetonit ju? Në shtëpi me qira?
Rakipaj: Jo, çfarë me qira? Unë rrija me atë.
Pyetje: Ku jetonit?
Rakipaj: Po me atë rrija unë. Ndonjëherë më merrte me të mira ai, ndonjëherë më përzinte, më nxirrte në rrugë. Rrija, përjashta rrugëve. Vija pastaj, rrija te kjo, 5 minuta, pastaj ikja prap. Ngjitesha lart në shtëpi. E s’më thoshte gjë.
Pyetje: Sot në mëngjes ju kanë shoqëruar në polici, ju kanë marrë në pyetje. Çfarë ju pyetën?
Rakipaj: Më pyetën vetëm për këtë. Pe gjë më thanë, nuk pash gjë i thash unë. Unë s’pash gjë. Unë isha brenda i thashë. Unë e dija se ishin fishekzjarre i thashë. Mendova i thashë se ishin fishekzjarre, mendova. Nuk dola i thashë, se po vishesha. Në atë kohë, i thashë unë, po vishja rrobat, e s’mund të dal. Si do dilja unë.
Pyetje: Çfarë ju thanë në polici?
Rakipaj: Më morën në pyetje, vetëm kaq. Pastaj më lëshuan, ika dola, se erdhi dhe daja i tij pastaj, nga njerëzit e vetë.
Pyetje: Nga njerëzit e të ndjerit, vetëm daja ishte?
Rakipaj: Vetëm daja, edhe ai djali i dajës.
Pyetje: Çfarë thonë ata të dy?
Rakipaj: Asgjë, çfarë të thoshin ata të dy. Nuk e di tha ai.
Pyetje: As sipas tyre nuk ka pasur një konflikt të mëparshëm që ka çuar në këtë atentat?
Rakipaj: Jo, jo. Ata më flisnin mua, unë kam respekt për ata.