Vrau me çekiç bashkëshorten, del në gjyq shqiptari në Greqi, përballje dramatike me nënën e viktimës

Aktualitet

Është mbajtur sot seanca gjyqësore në Greqi ndaj 39-vjeçarit shqiptar, Kastriot Cenko, i akuzuar për vrasjen brutale të bashkëshortes së tij në nëntor të vitit 2024. Sipas dosjes hetimore, gruaja e tij u vra me çekiç dhe trupi i saj u fsheh në papafingo të banesës, duke e bërë ngjarjen një nga rastet më të rënda të raportuara në atë periudhë.

Në seancën e fundit gjyqësore, i pandehuri ka mohuar akuzat për vrasje të paramenduar, duke deklaruar se krimi ka ndodhur në gjendje të rënduar emocionale dhe pa planifikim paraprak. Ai ka kërkuar falje për fëmijët dhe familjarët e viktimës, duke pranuar se veprimet e tij kanë shkaktuar një tragjedi të madhe familjare.

“Ishta në gjendje të tërbuar, nuk ishte një gjendje e qetë mendore. Gjithçka ndodhi në atë moment. Dua t’u kërkoj falje fëmijëve të mi dhe familjes së saj”, është shprehur ai para trupit gjykues.

Nga ana tjetër, në gjykatë ka dëshmuar edhe nëna e viktimës, e cila ka treguar vështirësitë që vajza e saj po përjetonte në martesë. Sipas saj, e ndjera punonte në disa vende njëkohësisht për shkak se bashkëshorti nuk kontribuonte financiarisht në familje. Ajo ka rrëfyer gjithashtu momentet e fundit të kontaktit me vajzën dhe shqetësimin e madh për zhdukjen e saj.

“Nuk dua që t’i bëjnë asgjë, dua që ai të ma kthejë vajzën”, është shprehur ajo mes dhimbjes.

Seanca e radhës gjyqësore pritet të mbahet muajin e ardhshëm, ndërsa çështja vijon të tërheqë vëmendje të madhe në opinionin publik për shkak të rrethanave të rënda të ngjarjes dhe dëshmive të familjarëve.

ME TE LEXUARAT