Zjarret nuk i ndahen Vlorës, flakët djegin sipërfaqe të mëdha me shkurre në Zvërnec, pushuesit braktisin plazhin

Aktualitet

Zjarret nuk i ndahen Vlorës, flakët djegin sipërfaqe të

Një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe pemë në plazhin e Zvërnecit është përfshirë mesditën e kësaj të enjte nga flakët. Kjo ka bërë që pushuesit që ndodheshin në zonën ranore të plazhit, të mblidhnin sendet e tyre dhe të largoheshin.

Kjo është hera e disatë që në qytetin e Vlorës, në zonën e plazheve të bukura buzë Jonit, por edhe në qytet, gjatë sezonit veror të ndizen zjarre spontane që vetëm sa dëmtojnë turizmin dhe imazhin e qytetit të bukur në jug të vendit.

Forcat zjarrfikëse dhe Policia e Vlorës kanë shkuar në zonën ku ka rënë zjarr dhe po punojnë për shuarjen sa më parë të flakëve, ndërkohë që deri tani dyshimet paraprake janë se kemi të bëjmë me një ngjarje të qëllimshme.

Edhe vitet e kaluara, para, gjatë dhe në përfundim të sezonit veror, zjarret shpërthejnë në zona të ndryshme të Vlorës dhe largojnë pushuesit e shumtë që zgjedhin plazhet përrallore të bregdetit jonian.

Fusha e mbetjeve në Vlorë është një ndër zonat më problematike. Edhe në nisje të sezonit veror 2025, ajo u përshi nga një zjarr që "mori krejt rastësisht" dhe vazhdoi për orë të tëra, ndërsa shtëllungat e zeza të tymit u panë në të gjithë qytetin.

Në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Vlorës pritet të nisen dhe ekipet e repartit të Fierit, pasi për shkak të temperaturave të larta, bimësisë së thatë dhe erës, flakët po përhapen me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë e cila rrezikon edhe Pyllin e Sodës.

 

 

ME TE LEXUARAT