CNN: SHBA dhe Irani mund ta tolerojnë bllokimin e Hormuzit, por bota do ta paguajë çmimin

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë sërish në qorrsokak, ndërsa të dyja palët po japin sinjale se janë të gatshme të përballojnë një ngërç të zgjatur diplomatik.
Sipas një analize të CNN, mungesa e progresit mes Uashingtonit dhe Teheranit rrezikon të ketë pasoja globale, sidomos në ekonomi, duke rritur çmimet dhe presionin mbi konsumatorët në mbarë botën.
Raportohet se Irani i ka paraqitur presidentit amerikan Donald Trump një propozim të ri, i cili nuk është pritur pozitivisht nga administrata amerikane. Qëndrimi i Teheranit shihet si tregues se pala iraniane nuk është e gatshme për lëshime të pranueshme për SHBA-në.
Ndërkohë, Trump ka deklaruar se nuk është me nxitim për një marrëveshje dhe se do të vazhdojë strategjinë e presionit maksimal, përfshirë bllokadën detare ndaj Iranit.
Në të njëjtën kohë, Irani ka shtuar retorikën politike, duke pretenduar forcim të ndikimit në rajon dhe kontroll më të madh mbi Ngushticën e Hormuzit.
Analistët paralajmërojnë se vazhdimi i këtij tensioni mund të sjellë rritje të mëtejshme të inflacionit global dhe tronditje të reja në tregjet ndërkombëtare të energjisë.


