Dosjet Epstein zbulojnë mëkatet e oligarkisë digjitale
Mediat i kanë lexuar të këqijat e Jeffrey Epstein-it me syzet e gabuara. Ndërsa dosjet e hetimit po deklasifikohen nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, kuptohet gjithnjë e më mirë morali i kësaj përralle të zezë.
Jo vetëm një Dekameron i turbullt bashkëkohor (referencë e veprës klasike të letërsisë italiane, të Giovanni Boccaccio-s), ku miliarderë të mërzitur dhe politikanë të etur shfryjnë manitë e tyre erotike përmes një rrjeti të tmerrshëm prostitucioni të ngritur nga një ndërmjetës i pasur dhe “mbretëresha” e tij. Por edhe një “Romanzo Capitale” i errët, ku seksi i devijuar bëhet qendra e pushteteve dhe e shantazheve, ku politika ndërthuret me biznesin dhe autokracia globale bashkohet me oligarkinë digjitale.
Një nga linjat më të papritura të dosjeve Epstein çon drejtpërdrejt te kriptovalutat dhe Bitcoin, pasion i vërtetë që financieri-kriminel nga Brooklin e kishte ushqyer gjatë, para arrestimit dhe më pas vetëvrasjes në burg.
Nga masa e madhe e akteve gjyqësore del se që pesëmbëdhjetë vite më parë Epstein ishte aktiv në botën e kriptomonedhave dhe i integruar plotësisht në rrethin e elitës tekno-kapitaliste që po formësonte ekonominë e re globale. Në vitin 2013, Boris Nikolic, këshilltar shkencor i Bill Gates dhe ish-drejtues i MIT Media Lab, i kishte dërguar një analizë të hollësishme mbi Bitcoin.
Në vitin 2014, Austin Hill, një drejtues i lartë i Blockstream, e kishte informuar mbi zhvillimet e fundit të tregut, përfshirë tensionet mes projekteve konkurrente Ripple dhe Stellar. Në vitin 2016, Epstein vetë kishte sugjeruar tek dy bashkëbisedues sauditë krijimin e një monedhe të re për Lindjen e Mesme. Sipas Crypto.news, kjo monedhë digjitale (e frymëzuar nga Bitcoin) duhej të zhvillonte një sistem pagese të përputhshëm me Sharian, për përdorim brenda komuniteteve myslimane, me një version fizik ku do të riprodhohej, në formë islame, mbishkrimi i dollarit: In God We Trust. Projekti ishte aq i avancuar sa që Epstein kishte shkruar se e kishte diskutuar me “personat pas Bitcoin”.

Po në vitin 2016, menjëherë pas Brexit, Epstein u përpoq të lidhte fijet e revoltës populiste kundër teknokracive evropiane bashkë me Peter Thiel-in, i cili në vitin 2025, me rizgjedhjen e Trump-it, do të bëhej ideologu i tij kryesor dhe partner biznesi në Pentagon: “Kthim te tribalizmi, kundërshtim i globalizimit, aleanca të reja të pabesueshme…”, i shkruante me email.
Në vitin 2018, Epstein kërkoi këshilla mbi taksimin e kriptovalutave, transaksionet e tokenëve (asete digjitale që krijohen dhe funksionojnë mbi një blockchain ekzistue) dhe rregullat e shpërndarjes nga Steve Bannon, “princi i errësirës” i Trump-it dhe mbështetës i Internacionales Sovraniste që përqafoi Matteo Salvini dhe të djathtat ekstreme evropiane.
Në 2019-ën, Epstein mori një email nga konsulenti Richard Kahn, që përshkruante “polemikat masive rreth Coinbase” dhe blerjen e kompanisë së analizës blockchain Neutrino. Dokumentet sugjerojnë se Epstein ndiqte nga afër ngritjen e kriptovalutave, me vëmendje të veçantë te rregullimi. Në të njëjtën periudhë, ai kishte dhuruar 850 mijë dollarë për MIT-në, për të mbështetur monedhën digjitale DCI, me të cilën u paguan edhe zhvilluesit e Bitcoin Core si Gavin Andresen dhe Wladimir Van der Laan. Epstein vizitoi MIT-në nëntë herë, privatisht, por identiteti i tij u mbajt gjithmonë i fshehtë.
Pra, del një rrjet i gjerë interesash dhe biznesesh, marrëdhëniesh dhe lidhjesh, ku sot shihet qartë filli i përbashkët: kombinati ushtarak-industrial-digjital. Sot, pasi i mundësoi Trump-it dhe familjes së tij të fitonin disa miliarda dollarë, Bitcoin gjendet në një pikë kritike. Nga tetori, kur arriti kulmin prej 125 mijë dollarësh, ka humbur gati 40% dhe sot vlerësohet rreth 76 mijë.
Trump dëshiron ta shndërrojë kripton në ar digjital, edhe pse për momentin ari i vërtetë mbetet më i sigurt si aset. Por gara është ende e gjatë. Dhe, sidoqoftë, të bën përshtypje kur zbulon se i pari që vuri bast mbi Bitcoin, më shumë se një dekadë më parë, ishte pikërisht miku pedofil i “Sherifit të Washingtonit”, bashkë me Padronët e Botës që frekuentonin Sodomën dhe Gomorrën e tij të shëmtuar./La Repubblica