“Ishim një orë larg sulmit të ri ndaj Iranit”, Trump: Teherani ka 2 ose 3 ditë kohë që të ulet në tryezën e negociatave

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një valë e re sulmesh ndaj Iranit është shmangur në minutën e fundit, pas ndërhyrjes dhe kërkesave të disa vendeve të Gjirit Persik, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara ndodheshin shumë pranë ndërmarrjes së një sulmi, por vendimi u pezullua për shkak të situatës dhe kërkesave të aleatëve rajonalë.
Trump tha se Irani ndodhet nën presion për të arritur një marrëveshje dhe se afati për negociata është shumë i kufizuar, duke përmendur disa ditë si periudhë vendimtare.
“Shpresoj të mos shkojmë në luftë, por mund të japim një goditje tjetër të madhe”, u shpreh ai, duke paralajmëruar se një veprim i tillë nuk përjashtohet nëse nuk arrihet marrëveshje për çështjen bërthamore.
Deklaratat e tij u shoqëruan edhe me komente mbi një projekt ndërtimor në Shtëpinë e Bardhë, të cilin e cilësoi si të sigurt dhe të mbrojtur, madje edhe nga sulme me dronë apo snajperë.


