Mediat: Bisedimet SHBA–Iran mund të zhvillohen brenda 72 orëve të ardhshme

Raportimet nga media ndërkombëtare bëjnë të ditur se një raund i dytë bisedimesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të zhvillohet brenda 36 deri në 72 orëve të ardhshme, me ndërmjetësim të mundshëm nga Pakistani.
Sipas New York Post, e cituar nga burime pakistaneze të paidentifikuara, presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e zhvillimit të negociatave të reja, duke deklaruar shkurtimisht se “është e mundur” kur është pyetur për këtë çështje.
Burimet bëjnë me dije se raundi i ri i bisedimeve mund të zhvillohet në Islamabad, pas takimeve të para të ndërmjetësuara më herët nga pala pakistaneze. Megjithatë, nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi agjendën apo pjesëmarrësit e mundshëm.
Zhvillimet diplomatike vijnë në një moment të tensionuar, pasi presidenti Trump ka zgjatur një armëpushim të përkohshëm në konflikt, vetëm pak orë para skadimit të tij.
Ndërkohë, situata në rajon është përkeqësuar pas raportimeve se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kanë sekuestruar dy anije në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike të transportit të naftës dhe gazit në botë.


