Pas Australisë, Norvegjia ul përkohësisht taksën e karburantit për shkak të luftës në Lindjen e Mesme

Qeveria e Norvegjisë njoftoi sot se do të ulet përkohësisht taksa mbi benzinën dhe naftën, pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.
Nga 1 prilli, taksa mbi benzinën do të ulet me 4,41 korona për litër (rreth 39 cent euro), ndërsa taksa mbi naftën do të ulet me 2,85 korona për litër (rreth 25 cent euro).
Ky vendim u mor pas një votimi të enjten në parlamentin norvegjez, ku deputetët votuan për uljen e taksave mbi karburantet, megjithëse qeveria ishte kundër këtij masi. Një nga pesë partitë që bëjnë pjesë në koalicionin qeverisës, Partia e Qendrës, iu bashkua opozitës dhe votoi në favor të uljes.
Ministri i Financave Jens Stoltenberg, anëtar i Partisë Laburiste që ishte kundër masës, reagoi duke thënë për televizionin publik NRK: “Marrëveshjet financiare duhet të respektohen. Prandaj duhet të ulem me partnerët tanë dhe të sigurohemi që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.”
Qeveria bëri të ditur se ulja e taksave do të vlejë edhe për hidrokarburet që përdoren në peshkim dhe gjueti.
Parlamenti vlerësoi se kostoja e këtij vendimi arrin në 6,3 miliardë korona (rreth 560 milionë euro).
Norvegjia, prodhuesja më e madhe e hidrokarbureve në Evropë pas Rusisë, shet pothuajse ekskluzivisht automjete elektrike, duke pasur nivelin më të lartë të përdorimit të makinave elektrike në botë.
Në dhjetor 2025, automjetet elektrike përfaqësonin rreth 32% të flotës në Norvegji, automjetet me naftë 31,8%, ato me benzinë 23,9%, ndërsa automjetet hibride përbënin rreth 12,6% të flotës totale.


