Suedia ashpërson ligjin e shtetësisë, ja çfarë ndryshon për emigrantët

Marrja e shtetësisë suedeze do të bëhet më e vështirë pas vendimit të qeverisë për të vendosur rregulla më të ashpra, të cilat do të futen në fuqi në qershor. Sipas ndryshimeve të reja, aplikantët do të duhet të kenë jetuar në Suedi të paktën tetë vite, nga pesë që kërkohej deri më tani.
Kriter i ri do të jetë edhe të ardhura mujore minimale prej 20 mijë koronash suedeze, si dhe kalimi i një testi bazë për gjuhën dhe kulturën suedeze. Testi do të përfshijë njohuri elementare për vendin dhe institucionet e tij.
Ministri suedez i Migracionit, Johan Forssell, tha se kërkesat e reja janë shumë më të forta se ato aktuale, duke theksuar se deri tani procesi për marrjen e shtetësisë ka pasur pak kushte detyruese.
Rregulla më të ashpra parashikohen edhe për personat me precedentë penalë, qoftë në Suedi apo jashtë saj. Ata do të duhet të qëndrojnë më gjatë në vend përpara se të aplikojnë për shtetësi. Si shembull, një person që ka vuajtur katër vite burg do të duhet të jetojë rreth 15 vite në Suedi përpara se të ketë të drejtë aplikimi.
Suedia ka shtrënguar gradualisht politikat e migracionit që prej vitit 2016, kur vendi përjetoi një fluks të madh azilkërkuesish. Ndryshimet e reja vijnë disa muaj para zgjedhjeve kombëtare, që pritet të mbahen në shtator, dhe janë pjesë e kursit më të fortë të qeverisë ndaj emigracionit dhe integrimit.


