Vendimi në SHBA / Elon Musk shpallet fajtor për mashtrimin e aksionerëve të Twitter, rrezikon miliarda dëmshpërblime

Kthehemi në muajt e fundit të vitit 2022, kur Elon Musk, përmes një operacioni të bujshëm, bleu Twitter për 44 miliardë dollarë. Sipas një grupi investitorësh, sipërmarrësi arriti të marrë drejtimin e platformës sociale – e riemërtuar më pas në X – duke përdorur veprime të paligjshme dhe sjellje të padrejta, duke i dëmtuar ata për të realizuar planet e tij.
Padia kolektive, e depozituar në një gjykatë federale në Kaliforni, u shqyrtua gjatë një procesi gjyqësor që zgjati tre javë. Të premten, më 20 mars, juria dha vendimin: sipas gjyqtarëve, Musk i ka mashtruar me vetëdije aksionarët e Twitter-it, duke publikuar deklarata që synonin uljen e çmimit të aksioneve ndërkohë që ai po i blinte ato.
Në veçanti, u theksua se postimet e tij në Twitter, që përmbanin informacione të rreme, shkaktuan një rënie artificiale të çmimit të aksioneve, të cilat mes majit dhe tetorit 2022 ranë nga rreth 8 dollarë në 3 dollarë për aksion. Megjithatë, Musk u shpall i pafajshëm për akuzat për mashtrim financiar.
Gjykatësit ranë dakord se ai kishte shkelur një rregull mbi tregjet financiare që ndalon deklaratat e rreme dhe mashtruese që ndikojnë në rënien e çmimit të aksioneve. Sipas njërit prej avokatëve të paditësve, dëmet llogariten rreth 2.6 miliardë dollarë.
Avokatët e Musk nuk kanë dhënë komente, por kanë bërë të ditur se do ta apelojnë vendimin, të cilin e cilësojnë si një “pengesë të përkohshme”. Nëse vendimi konfirmohet, sipërmarrësi mund të detyrohet të paguajë dëmshpërblime shumë të mëdha për investitorët.
Brian Belgrave, një sipërmarrës i vogël nga Oregoni, është një nga aksionarët që iu bashkua padisë kolektive. Ai dëshmoi se, duke ndjekur postimet e Musk, vendosi të shiste mijëra aksione të Twitter-it në korrik 2022, edhe pse me një çmim shumë më të ulët se ai i blerjes. “Jam mashtruar dhe jam gënjyer”, deklaroi ai para jurisë.
Edhe Musk dëshmoi në gjyq: sipas raportimeve të BBC-së, ai u shfaq shpesh agresiv dhe refuzoi të përgjigjej në disa pyetje të avokatëve të investitorëve. Megjithatë, në një moment pranoi: “Nëse ky do të ishte një gjyq për të përcaktuar nëse kam publikuar postime të pamenduara, do të thosha se jam fajtor.”/Lajmi i Fundit


