“U vra në një mënyrë të poshtër në atë vit të...”/ Çfarë rrëfeu Stenaldo në BBV për ekzekutimin e babait të tij

Pak muaj më parë, Stenaldo Mëhilli vendosi që të rrëfente brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP 5”, detaje nga jeta e tij. Ish-banori e nisi rrëfimin me vrasjen e babait kur ai ishte vetëm 1-muajsh.
Në atë kohë, Stenaldo tregon se babai i tij u vra nga një person të cilit i kishte kthyer kurrizin pasi i kishte dhënë një përqafim.
“Unë kam lindur në Lushnje në 28 maj të 1997. Kam lindur në një qytet ku nuk kam jetuar kurrë, hiq muajin e parë të jetës time, derisa im atë në qershor të po atij viti ndërroi jetë, i vrarë në një mënyrë të poshtër në atë vit të poshtër për të gjithë shqiptarët që na ka bërë të humbasim më shumë se çdo herë në historinë tonë të brishtë. U vra nga dikush mbasi atij i dha një përqafim dhe i ktheu kurrizin për të vazhduar rrugën e tij. Dhe kjo është arsyeja pse unë gjithmonë kam thënë që në këtë botë të gjithë trimat vriten nga frikacakët. Kur njeriu rritet me një humbje të tillë nuk ka më asnjë moment dramatik në jetën e tij, nuk ka një moment kur ti e mëson, ti thjesht e di që ndryshe nga fëmijët e tjerë babai jot nuk është aty”, tha ndër të tjera në rrëfimin e tij Stenaldo.
Ndërkohë në ditët e fundit, në Itali janë arrestuar dy xhaxhallarët e Stenaldos, Artur dhe Arben Mëhilli, të cilët në vitin 1999 vranë Rezar Metajn, persoi që I mori jetën vëllait të tyre.
Ata ishin dënuar në vitin 2001 nga Gjykata e Lushnjës për “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “mbajtje pa leje të armëve”, përkatësisht me 15 vite e 6 muaj dhe 16 vite e 6 muaj burgim.
Pas krimit, ata u larguan drejt Italisë duke përdorur identitete false, me të cilat siguruan edhe leje qëndrimi.


