AGSH: Stop gjuhës denigruese dhe nxitëse të linçimit publik ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shprehu shqetësimin për gjuhën denigruese, seksiste dhe nxitëse të linçimit publik të përdorur në një postim të publikuar nga një gazetar ndaj kolegeve të tij.
“Është e papranueshme që gazetare, të cilat janë profesioniste të medias dhe mbi të gjitha gra, të sulmohen publikisht me insinuata, nënkuptime poshtëruese dhe referenca që prekin dinjitetin e tyre personal e profesional”, shkruan Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
Më tej asociacioni thekson se akti bëhet edhe më problematik duke qenë se, në shënjestër janë gazetare gra, dhe në këtë mënyrë ushqehet një klimë stigmatizimi dhe presioni gjinor në një sektor ku gratë përballen shpesh me sulme, bullizëm dhe kërcënime online.
AGSH thekson se debati profesional është legjitim dhe i nevojshëm në një shoqëri demokratike, por ai nuk mund të kalojë në gjuhë fyese, seksiste apo në nxitje të turmës kundër gazetareve.
Asosacioni i bëri thirrje çdo gazetari dhe aktori publik që të respektojë etikën profesionale, dinjitetin e kolegëve dhe standardet minimale të komunikimit publik.


