Rusia lëshon Oreshnikun pranë NATO-s dhe BE-së

Bota

Rusia lëshon Oreshnikun pranë NATO-s dhe BE-së

Ushtria ruse tha se kishte lëshuar raketën hipersonike Oreshnik ndaj një objektivi në Ukrainë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të pretenduar me dronë kundër një prej rezidencave të Putinit muajin e kaluar. Kjo është hera e dytë që Rusia përdor raketën me rreze të mesme Oreshnik, për të cilën shefi i Kremlinit ka thënë se është e pamundur të interceptohet dhe se ka shpejtësi dhjetë herë më të madhe se ajo e zërit. Raketa është në gjendje të mbajë testata bërthamore dhe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Rusi, është përdorur për të goditur infrastrukturë kritike në Ukrainë.

“Ministria e Mbrojtjes raportoi se kishte përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi, me precizion të lartë, si dhe sistemin më të fundit Oreshnik. Objektet u shënjestruan gjithashtu nga dronë luftarakë. U goditën fabrikat që kishin prodhuar dronët e përdorur kundër rezidencës së presidentit rus. Për më tepër, u shkatërruan objektet energjetike që punonin për Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ministria e Mbrojtjes paralajmëron se asnjë sulm terrorist nga regjimi i Kievit nuk do të mbetet pa përgjigje”.

Ukraina e konfirmoi sulmin, duke thënë se ai kishte ndodhur në perëndim të vendit, pranë kufirit me Bashkimin Europian. Sipas ministrit të Jashtëm në Kiev, raketa Oreshnik, e cila iu afrua shumë kufirit me BE-në dhe NATO-n, ka kërcënuar rëndë sigurinë europiane dhe u kërkoi partnerëve të shtojnë presionin ndaj Moskës.

Ukraina hodhi sërish poshtë pretendimet se kishte shënjestruar rezidencën e Putinit, duke i cilësuar ato si justifikime absurde. Guvernatori i rajonit të Lvivit, në Ukrainën perëndimore, tha se sulmet e fundit kishin dëmtuar infrastrukturë kritike, ndërsa raportime të paverifikuara sugjerojnë se objekt i sulmit me raketën Oreshnik mund të ketë qenë një strukturë nëntokësore për depozitimin e gazit.

Ndërkohë, një tjetër sulm rus në Kiev, gjatë ditës së premte, u mori jetën të paktën 4 personave, plagosi rreth 20 të tjerë dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme në infrastrukturë.

ME TE LEXUARAT