Apeli i GJKKO dënon me burg kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, akuzohet për korrupsion zgjedhor

Apeli i GJKKO ka dënuar me 1 vit burg kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla.
Memolla u akuzua për korrupsion zgjedhor, ndërsa pritet që SPAK të përgatisë urdhrin e ekzekutimit për të dërguar kryebashkiakun në qeli.
Hetimet për kryebashkiakun e Rrogozhinës nisën pasi në media u publikua një audio përgjim ku siç thotë SPAK, dëgjohet Edison Memolla në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, duke ndikuar tek një punonjës i OSHEE , për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Kujtojmë që SPAK përfundoi hetimet për çështjen në ngarkim të kryetarit të bashkisë Rrogozhinë më 2 nëntor 2023.
Bashkë me Memollën, të akuzuar janë edhe Ndriçim Tafxhafa, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku.


Sakaq, nga ky moment bashkia e Rrogozhinës do të ngelet pa kryetar dhe sipas rregullit duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Po ashtu Memollës do t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite.


