Ndahet nga jeta aktori i humorit Mane Lumani, një nga “4 Parodistët e Vlorës”

Aktori i njohur i humorit Mane Lumani është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë nga e cila vuante prej kohësh.
Ai ishte një nga figurat më të dashura të humorit dhe pjesë e pandarë e grupit legjendar 4 Parodistët e Vlorës, që për dekada solli buzëqeshje dhe satirë të mprehtë për publikun.
Karrierën e nisi në vitin 1974 si aktor amator në ndërmarrjen e Ullishtës në Vlorë, ku u dallua për talentin në interpretim dhe aftësinë për të krijuar personazhe plot finesë.
Me krijimin e grupit humoristik së bashku me Agron Hoxhën, Afrim Agalliun dhe më vonë Muhamet Likën, ai u kthye në një ikonë të humorit shqiptar, duke sjellë parodi dhe ironi që pasqyronin realitetin shoqëror e politik të kohës.
Në vitin 2004, pas një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale në fyt që i hoqi kordat zanore për shkak të një tumori, Lumani nuk mundi më të fliste.
Megjithatë, figura dhe kontributi i tij artistik mbetën të gjalla në kujtesën e publikut, duke e renditur atë mes emrave më të spikatur të artit skenik shqiptar.


