Padia ndaj Ols Dados/ Zbardhet procesverbali i seancës në ‘Administrative’, Veliaj: Nëse do propozohej…

Zbardhen për herë të parë diskutimet e zhvilluara javën e kaluar në Gjykatën Administrative, ku u shyrtua kërkesëpadia e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të prokurorit Ols Dado në 2008. Në transkriptin e seancës, kryebashkiaku Veliaj dhe avokati i tij mbrojtës, Plarent Ndreca, argumentojnë se si Dado është emëruar në kundërshtim me kriteret ligjore, pas pasur Shkollën e Magjistraturës.
Veliaj ngriti edhe një pyetje krahasuese gjatë seancës për përfaqësuesin e Presidencës, për të kuptuar sesi merren vendimet për dekretin për emërimin e prokurorëve. “Nëse Prokuroria e Përgjithshme do të kishte thënë të emëronim ‘Gomarin e Babatasit’, ju do të kishit ndryshuar dekret? Teorikisht po flas, pra a bëhet një verifikim?”, ishte pyetja e Veliajt në seancë, e cila rrëmbeu një vëmendje të madhe.
Më tej, në fjalën e tij, Veliaj është shprehur se si ai është ndoshta i vetmi njeri në Republikën e Shqipërisë që është kallëzuar nga një person që nuk ekziston, e që sipas tij ka një diferencë shumë e madhe nga një kallëzim anonim. Ai thotë se kjo që ka ndodhur është një kurth dhe një intrigë e paprecedentë.
Nesti Angoni kallëzon në korrik 2023, sapo ka mbaruar numërimi në KQZ dhe çështja regjistrohet pas 7 muajsh, kur afati është 15-ditor. Dhe thashë: ka diçka që nuk shkon këtu. Nuk mund t’i duhen 7 muaj për të siguruar diçka që ligji e parashikon për 15 ditë. Nuk është vetëm procedimi im. Ka shumë gjëra në këtë proces që më bënë të mendoj se kjo është dora e një njeriu jo profesionist. Ky është një person që ka marrë një porosi për të bërë këtë. Por kjo nuk përfaqëson SPAK-un, nuk përfaqëson reformën në drejtësi. Ka njerëz që bëjnë një punë të shkëlqyer dhe që ndoten nga dikush që në mënyrë të përsëritur shkel këto elemente”, ka thënë Veliaj në seancë.
Gjithashtu, ai është shprehur se një arsye tjetër që e shtyu që ta bënte këtë kërkesëpadi ndaj Prokurorit Dado ishte edhe fakti se atij i është bërë një vetting 20 vjeçar.
“Kam dëgjuar edhe politikanë të tjerë që thonë “më është hetuar e gjithë jeta”, por zakonisht u është hetuar jeta politike. Mua më është hetuar jeta që nga viti 2004, kur isha te “Mjaft”, me kë kam udhëtuar, etj. Pra, jam i vetmi njeri që i është hetuar jeta që nga momenti që kam marrë diplomën e universitetit”, ka thënë Veliaj.
Veliaj përmend edhe ‘faktin’ se Ols Dado i ka kërkuar disa herë të ndërhyjë për një leje ndërtimi të një pallati në Rrugën e Kavajës.
Dhe ajo që më ‘kërcet’ më shumë është konflikti i interesit. Kjo është arsyeja finale që më shtyu këtu. Nga telefoni i prokurorisë më është kërkuar disa herë që të ndërhyj për një leje ndërtimi në rrugën e Kavajës. Pra, kemi një konflikt të hapur interesi. I kam thënë: ‘Ti merr kaq leje, por kullat i jep KKT, jo bashkia’. Bashkia funksionon me një formulë të qartë ligjore. Madje drejtues të bashkisë më kanë thënë: ‘Ky zotëri nuk është prokuror, por ndërmjetës’, sepse kërkonte leje edhe për të tjerë. Kjo ishte pika që mbushi kupën”, është shprehur Veliaj.
Një nga elementët që vërehet në transkriptin e seancës është arsyetimi që jep përfaqësuesi i Presidentit të Republikës, lidhur me procedurat e emërimit të Ols Dados prokuror. Sipas përfaqësuesit të Presidentit, nga praktika e arkivuar që nga viti 2008 rezulton se ekziston vetëm një propozim i ardhur nga Prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe (Ina Rama), një shkresë përcjellëse dhe menjëherë pas kësaj, dekretin e nxjerrë nga Presidenti i Republikës në atë kohë. Presidenca ka arsyetuar se kjo praktikë nuk mund të konsiderohet e plotë nëse mungon një relacion apo një shpjegim i mëtejshëm se si është arritur në vlerësimin e këtyre kandidaturave, i cili duhet të kryhet nga Këshilli i Prokurorisë.
“Ne nuk jemi të qartë se si Presidenti e ka shprehur vullnetin e tij nëpërmjet këtij dekreti dhe si është arritur deri në këtë pikë. Gjithashtu, nuk jemi të qartë nëse kjo është një praktikë e plotë. Pra, a ka akte të mëtejshme? A ka dokumente që mund të ndodhen pranë Prokurorisë dhe që ne nuk i kemi në arkivën tonë? Sepse neve nuk na rezulton asgjë tjetër përveç këtyre. Në këtë kuptim, ne nuk mbajmë dot një qëndrim lidhur me rrëzimin, por do ta lëmë në vlerësim të gjykatës, sepse realisht, me kaq pak sa kemi këtu, nuk arrijmë të themi se si është shprehur vullneti i Presidentit në atë kohë”, është shprehur Presidenca në atë seancë.
Ndërsa, pyetjes së gjyqtarit të seancës se “a do ta dekretonte Presidenti me kaq dokumentacion sot një propozim të tillë”, Përfaqësuesi i Presidentit është përgjigjur: “Sot, jo. Në atë kohë nuk e dimë nëse ka qenë i mjaftueshëm ose jo. Për mendimin tim, duhet të kishte pasur një relacion arsyetues”.


