U dënua me një vit burg, pritet arrestimi i kryebashkiakut, Edison Memolla! Rrogozhina pa kryetar! Çfarë do të ndodhë

Aktualitet

U dënua me një vit burg, pritet arrestimi i kryebashkiakut, Edison

Kryetari i bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla u dënua me 1 vit burg nga Apeli i GJKKO, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Po ashtu, Memolla nuk duhet të ushtrojë funksione publike për 5 vite. Ai akuzohet për korrupsion zgjedhor.

Menjëherë pas këtij vendimi, SPAK pritet të bëjë urdhër ekzekutimin, për ta vënë në pranga kryebashkiakun socialist.

Bashkia e Rrogozhinës do të mbetet pa kryetar, çka do të sjellë zgjedhje të parakohshme.

Me 1 vit burg është dënuar edhe i pandehuri Blerim Xhamani, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, si edhe Ndriçim Tafgjata, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Ndërsa Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, u dënua me 8 muaj burg, dënim që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.

Hetimet për kryebashkiakun e Rrogozhinës nisën pasi në media u publikua një audio përgjim ku siç thotë SPAK, dëgjohet Edison Memolla në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, duke ndikuar  tek një punonjës i OSHEE , për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.

Kujtojmë që SPAK përfundoi hetimet për çështjen në ngarkim të kryetarit të bashkisë Rrogozhinë më 2 nëntor 2023.

 

ME TE LEXUARAT