Vrasja e vëllezërve Alikaj/ I afërmi i viktimave-Erion Alibejt: O “Krym”, pse nuk flet, kush i vrau!? Ja kush e di të vërtetën…

Vrasja e Gëzim Alikajt ishte sinjali se kundërshtarët nuk do të kursenin as njerëzit e pafajshëm për hakmarrje.
Pas vrasjes së tij, Policia e Elbasanit u fokusua në një pistë që lidhej me një ngjarje që datonte 2 vite më herët, pikërisht në Spanjë ku u vra Alfons Çaka. Siç zbuluam më sipër, për atë atentat organet hetimore spanjolle kishin arrestuar vëllanë e viktimës së Elbasanit, shtetasin Florenc alias Fatmir Alikaj.
Vetëm pak orë pas ngjarjes, uniformat blu të Elbasanit vunë në pranga shtetasit Everest alias Ibrahim Çaka, që do të vritej në vitin 2021, Elton Hyka dhe Ardit alias Arjan Spahiu, i njohur me nofkën “Arjani i Vogël”, sërish i vrarë në Belgjikë në vitin 2020.
Vladimir Merxhani, zbulon detaje të panjohura për atentatin ku humbi jetën kunati i tij Gëzim Alikaj, një person që nuk kishte asnjë lidhje me konfliktet dhe veprimtarinë e të vëllait jashtë vendit.
“Arrestojnë policia, ndalon, Ibrahim Cakën, Arjan Spahiun, dhe një person tjetër që i kishte ndihmuar me makinë, të dhënat ishin nga aty”.
“Flasim për vepra që kryhet përherë me dashje, e thjeshtë ose variant ekstrem me paramendim, përherë rëndësi ka motivi, arsyeja për këto vepra, dhe për zbulimin e motivit duhet bërë hetim i plotë dhe për çështjet e lidhura”, u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.
Policia u shpreh aq e sigurt në momentet e para mbi provat e siguruara sa njoftoi rezultatet e aksionit policor për arrestimin e vrasësve të Gëzim Alikajt. Ata ishin pikërisht emrat e përmendur nga familjarët e viktimës.
“Këto e kishin vrarë Gëzim Alikën për rikthimin, se Florenci doli nga bugu, që të kthehet Florenci e ta vrisnin. Akuza e policisë ishte për Ibrahim Cakën e Arjan Spahiun, i mbajtën 18 ditë të izoluar e i liruan. Njëkohësisht këto janë shoqëri e afërt me të penduarin e drejtësisë Erjon Alibej”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
Tre personat e arrestuar u mbajtën për rreth 1 muaj në qeli. Më pas, ata u lanë të lirë për mungesë provash. Por, tjetër qëndrim kanë të afërmit e familjes Alikaj. Ata pretendojnë se në vendngjarje u gjetën prova materiale që fajësonin 3 personat e sapo liruar. Po ashtu, ata këmbëngulin se përpos konfliktit me personat e ndaluar, familja Alikaj nuk kishte asnjë përplasje tjetër...
“I izoloj policia, i izoloi policia, për 17 ditë dolën nga burgu, provat ishin me vrasjen e Noces në Barcelonë se thonin janë hasmëri”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
“Fakti që këto persona më nuk vërtetohen përtej çdo dyshimi, nuk çohen para drejtësisë, krijon problematikë më të madhe, e para krijon bindje te opinion që e vërteta nuk u zbulua, dhe e ikën dyshimi te familjarët ende të ngritur, sepse tashmë ka elementë tjerë dhe thonë që vetë organet e ndjekjes penale patën dyshim që këto mund të ishin autorët kështu që në raste të tjera e mtria do jetë të vijojë hetimi, mos nxitohemi por në momentin kur shkon para drejtësisë të jetë e vërtetuar”, u shpreh Florian Bonjaku, ish prokuror.
Gëzim Alikaj, një person që nuk kishte asnjë faj për veprimtaritë e paligjshme të vëllait u eliminua. Akoma më keq, ngjarja nuk u arrit të zbardhej kurrë, duke u shndërruar në parathënien e krimeve që do të vijonin. Kodi përsëritej: nëse shteti nuk bën drejtësi, familjet e përfshira në konflikte shkojnë tek vetëgjyqësia…
“Nuk kam nevojë për hakmarrje, kam 3 çuna dhe një grua që më ngrenë kapelen një Elbasan kush janë, Erjon Alibej të tregoj se kush i ka hyrë në hak Gëzim ALikajt, vetëm këtë i kërkoj drejtësisë, Erjon Alibej duhet të pyetet për këto ngjarje”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
“Vetë Kodi Procedurës Penale, neni 37 pika 5 e tij përcakton në mënyrë detyruese që bashkëpunëtori duhet të tregojë gjithë elementët për një ngjarje penale, që nga ngjarja, të dhënat për parandalim ngjarjesh tjera si dhe pasuri e veprimtarisë kriminale”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
“Bashkëpunëtori drejtësisë duhet tregojë gjithë rrethanat, dijeninë për ngjarjen, të plotë, pa fshehur asgjë karshi prokurorisë”, u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.
Pavarësisht lirimit të 3 personave të dyshuar, familja Alikaj drejton gishtin pikërisht nga ata autorë që sot në fakt janë të ndjerë pasi janë eliminuar në histori të tjera kriminale. Por, bashkëpunëtorët mbeten ende pa përgjegjësi penale. Familja Alikaj ngre dyshime se janë futur duart për prishjen e provave hetimore.
“Meqë ato nuk japin dosje, policia e Elbasanit për këtë ngjarje i ka prishur, edhe këtë e them me bindje të plotë”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
“Mund të quhet shkelje faktikisht, duhet të mbajë sekret prokuroria, por niveli bashkëpunimit, sa bashkëpunon me këta dëshmitarë për vërtetuar pretendimet është për t”u parë, duhet pasur bashkëpunim, nëse s’ka ka diçka që nuk shkon”, u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.
“Ka gjithmonë një element nxitimi të strukturave policisë, dëshira e madhe për të shkuar te autorët e ngjarje e dëshira për të ulur elementin e opinionit duke dashur të tregojnë që e zbardhëm ngjarjen, shpesh kanë çuar në konkluzione jo të vërteta dhe të nxituara, ose frenojnë hasmërinë një nga elementët e tjerë”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
Kunati i vëllezërve Alikaj-bashkëpunëtorit të drejtësisë: O “Krym”, pse nuk flet, kush i vrau…!?
Emri i dyshuar që peshonte më fortë në eliminimin e Gëzim Alikajt ishte Ardit alias Arjan Spahiu. “Arjani i vogël” siç njihej mes të fortëve i kishte ngjitur shkallët në botën e errët dhe fuqia e tij më e madhe ishte në kohën kur u bashkua me familjen Alibej. Ai ishte kunati i vëllait të Erion Alibejt. Ky i fundit, u bë kreu i grupit pasi u vra i vëllai Endriti në vitin 2018 në një atentat të 3-fishtë. Spahiu njihej si njeriu kyç i Alibejve në punët e terrenit, lidhjen e aleancave dhe qarkullimin e parave deri në vitin 2020 kur u vra në Bruksel.
Sot, Erjon Alibej ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Alibej njihej si personi më i afërt i Arjan Spahiut, por, deri sot, në dosjen hetimore nuk ka asnjë moment ku të rrëfehen nga ky dëshmitar konfliktet e të ndjerit Spahiu me familjet Alikaj dhe Mahmuti në Elbasan. Familjarët që presin zbardhjen e krimeve, nuk kanë më mundësi të dëgjojnë nga Spahiu që tashmë nuk jeton, por shpresojnë nga dëshmitë e njeriut të tij më të afërt që sot është i penduar i drejtësisë.
“Erjon Alibej shkonte shumë me Ibrahim Cakën e Arjan Spaiun dhe Ejron Alibej duhet të flasi, dhe ka vetëm një mesazh nga Ladi Lytit: Trego se kush e vrau Gëzim Alikajn, s’jam duke ditur për hak por çunat e Ladit si kanë shkelur njeriu kallo. “O krym thuaj, kështu ka thënë Ladi, Jam 4 herë gjysh, skam dalë për hak”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
Nuk dihet nëse në një moment të dytë Alibej mund të pyetet për këto krime, por, sipas procedurës ligjore, bashkëpunimi me drejtësinë konsiderohet i plotë kur rrëfen edhe ngjarje kriminale për të cilat nuk pyetesh. Pra, ngjarje që prokurorët mund të mos kenë indicie, i penduari duhet ti rrëfejë.
“Një bashkëpunëtor drejtësie që selekton të dhënat para gjykatës s’është më bashkëpunëtor drejtësie, por bashkëpunëtor i një krimi të ardhshëm. E vërteta dhe sinqeriteti është baza në një marrëveshje mes organit akuzës dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
“Çdo deklaratë që nëse vë në dyshim thëniet e një dëshmitarit drejtësie duhen verifikuar që prokuroria të verifikojë elementët e nenit 37 A I Kodit Procedurës, a ka qenë i vërtetë ky bashkëpunëtori drejtësisë”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
Familja Alikaj e konsideron me mjaft rëndësi çdo informacion që mund të vijë nga Alibej për zbardhjen e krimeve në seri. Ata i bëjnë thirrje Prokurorisë që të nxjerrin të gjithë të vërtetën nga i penduari.
“Unë dua vetëm drejtësi nga shteti shqiptar meqë Florenc dhe Gëzim Alikaj duhet ti dali një dosje që kush i vrau, këtë vetëm 1 e di, ky është personi që SPAK e ka si të penduarin nga grupi i Ibrahim Cakës e Arjan SPahiut, ky quhet Erjon Alibej dhe ky i di të gjithë muhabetet e të dy vëllezërve se kanë edhe lidhje familjare po kanë shkuar me shumë se vëllai”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj
“Ky lloj statusi bashkëpunëtori i drejtësie, kushti kryesor është sinqeriteti dhe e vërteta, nëse këto thyhen atëherë prishet marrëveshja, Vetë Kodi Procedurës e thotë që nëse nuk tregon gjithë të vërtetën dhe nuk është i sinqertë bashkëpunëtorit i hiqet statusi”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
“Siç e merr këtë status e lidh marrëveshjen edhe mund ta humbasësh e marrëveshja mund të prishet, dhe arsyeja është nëse bën deklaratë të rreme apo nuk thua gjithë të vërtetën apoi shtrembëron detajet e çështjes”, u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.
“Humbja e statusit sjell disa probleme, e para i hiqet mbrojtja e posaçme, e dyta shkon e dënohet për veprat penale për të përfituar nga uljet, gjithashtu mund dhe duhet të dënohet për dhënie dëshmie të rreme para oficerit apo gjykatës”, u shpreh, Florian Bonjaku, ish-prokuror.


