Ekzekutohet gazetari në Arabinë Saudite, si e parashikoi fatin e tij në rrjetet sociale
Turki Al-Jasser, një gazetar saudit i cili ishte arrestuar në vitin 2018 nën akuza për terrorizëm dhe tradhti të lartë, u ekzekutua ditën e shtunë, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Arabisë Saudite.
Arrestimi dhe dënimi i tij besohet se lidhen me një llogari anonime në Twitter që denonconte korrupsionin e familjes mbretërore. Al-Jasser kishte paralajmëruar se çfarë do i ndodhte në një postim të vitit 2014: “Shkrimtarët arabë mund të vriten lehtësisht nga qeveritë e tyre nën pretekstin e sigurisë kombëtare”-shkruante ai.
Sipas organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, akuzat ndaj tij ishin të fabrikuara dhe ekzekutimi i tij pas 7 vitesh burgim përbën një goditje të rëndë për lirinë e shprehjes në Mbretërinë Saudite. Aktivistët besojnë se ai u identifikua si autor i një llogarie kritike në Twitter përmes hakimit dhe ndarjes së të dhënave nga brenda platformës.
Al-Jasser është gazetari i parë që ekzekutohet në Arabinë Saudite nën regjimin e princit Mohammed bin Salman dhe i dyti në botë që nga viti 2020, kur u ekzekutua gazetari iranian Ruhollah Zam.
“Me këtë akt, princi i kurorës konfirmon edhe një herë se mbetet një tiran hakmarrës,” deklaroi një organizatë.