Mbetjet njerëzore të gjetura në Tasmani, dyshohet të jenë të 31-vjeçares belge të zhdukur në 2023

Bota

Mbetjet njerëzore të gjetura në Tasmani, dyshohet të

Policia ka konfirmuar se mbetjet njerëzore të gjetura në një pyll tropikal të Tasmanisë ka shumë të ngjarë të jenë të Celine Cremer, një udhëtare belge 31-vjeçare që u zhduk në vitin 2023 pas një shëtitjeje pranë Ujëvarave të Filozofit në Waratah, në veriperëndim të ishullit. Pas zhdukjes së saj, kërkimet fillestare të policisë nuk dhanë rezultate, duke e lënë rastin të pazgjidhur për muaj të tërë.

Një kërkim privat, që përfshiu dhjetëra vullnetarë, solli zbulimin e kockave, dhëmbëve, telefonit celular dhe rrobave të saj, gjë që shtyu policinë të rifillonte hetimet. Të premten, me lejen e familjes, policia njoftoi se mbetjet janë “identifikuar përkohësisht” si të Cremer, me prova ekspertësh që ofrojnë “dëshmi bindëse”. Komandanti i Policisë së Tasmanisë, Nathan Johnston, i shprehu ngushëllimet familjes dhe theksoi se ky konfirmim mund t’u japë atyre njëfarë qartësie dhe mbylljeje të çështjes.

Johnston falënderoi gjithashtu komunitetin, personelin e kërkim-shpëtimit dhe vullnetarët që i kushtuan kohë dhe burime të konsiderueshme gjatë shumë fazave të kërkimit. Mot i keq, reshjet e rrëmbyeshme dhe borë e penguan punën e ekipit të policisë, ndërsa burimet e kufizuara shtuan vështirësitë.

Familja e Cremer punësoi më pas një hetues privat që trajnoi grupin e vullnetarëve për të vazhduar kërkimin në zonën e pyllëzuar. Disa prej tyre iu bashkuan pasi panë video të regjistruara nga një regjisor vendas që ndoqi nga afër rastin. Një raport i mjekut ligjor do të përcaktojë identitetin zyrtar të mbetjeve mortore.

Tasmania është një shtet ishullor në jug të Australisë, i ndarë nga kontinenti nga ngushtica e Bass-it, me kryeqytet Hobart. Ishulli njihet për natyrën e paprekur, parqet kombëtare dhe ajrin e pastër, klimën më të freskët krahasuar me pjesën tjetër të Australisë dhe për kafshën karakteristike, “djallin e Tasmanisë”.

ME TE LEXUARAT