“Nuk ka respektuar ligjet për sigurinë online”, Mbretëria e Bashkuar paralajmëron një bllokim të mundshëm të platformës sociale X

Bota

“Nuk ka respektuar ligjet për sigurinë online”,

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se do të mbështesë plotësisht autoritetin rregullator Ofcom nëse vendos të bllokojë platformën sociale X në territorin britanik, për shkak të mosrespektimit të ligjeve të sigurisë online.

Vendimi lidhet me shqetësimet serioze rreth përdorimit të inteligjencës artificiale Grok për krijimin e imazheve ‘deepfake’ me përmbajtje seksuale.

Sipas BBC reagimi vjen pas një vale kritikash publike, pasi Grok, mjeti i inteligjencës artificiale i lidhur me X, u përdor për të “zhveshur” në mënyrë dixhitale persona pa pëlqimin e tyre, përmes imazheve të publikuara në platformë.

Kompania ka deklaruar se tashmë ky funksion është i disponueshëm vetëm për përdoruesit që paguajnë abonim mujor.

Zyra e Kryeministrit në Downing Street e cilësoi këtë ndryshim si “fyes për viktimat e dhunës seksuale”, ndërsa një organizatë që ndihmon viktimat e dhunës në familje e përshkroi masën si “monetizim të abuzimit”.

Sekretarja britanike për Teknologjinë, Liz Kendall, tha se pret që Ofcom të përdorë “të gjitha kompetencat ligjore” për të mbajtur përgjegjëse kompaninë xAI, në pronësi të Elon Musk, e cila zotëron si platformën X ashtu edhe Grok.

“Dua t’i kujtoj xAI se Ligji për Sigurinë Online i jep Ofcom-it të drejtën të bllokojë shërbime në Mbretërinë e Bashkuar nëse ato refuzojnë të zbatojnë ligjin,” tha Kendall, duke shtuar se çdo vendim i tillë do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë.

Nga ana e tij, një zëdhënës i Ofcom konfirmoi se rregullatori ka kontaktuar urgjentisht kompaninë dhe ka marrë një përgjigje, ndërsa aktualisht po zhvillohet një vlerësim i përshpejtuar.

Sipas Ligjit për Sigurinë Online, Ofcom mund të kërkojë edhe vendim gjykate për të ndaluar aksesin në X ose për të penguar kompaninë të sigurojë të ardhura në Mbretërinë e Bashkuar, në rast mospërputhjeje me ligjin.

Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë theksuan se ndryshimet e fundit tregojnë se X “mund të veprojë shpejt kur dëshiron”, duke shtuar se “është e qartë se X duhet të veprojë dhe duhet ta bëjë këtë tani”.

Pavarësisht kufizimit të aksesit për përdoruesit falas, Grok vazhdon të ofrojë funksione redaktimi për abonentët me pagesë, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra nga organizatat për të drejtat e grave, përfshirë Refuge, të cilat e konsiderojnë këtë si fitim nga dëmi.

Kryeministri britanik Keir Starmer i ka cilësuar më herët imazhet e krijuara nga Grok si “të turpshme” dhe “të neveritshme”, ndërsa opozita konservatore, përmes një zëdhënësi të Kemi Badenoch, i quajti ‘deepfake-t’ “absolutisht të papranueshme”.

ME TE LEXUARAT