Çfarë po ndodh në Kosovë? Gjykata lëshon 10 urdhër-arreste, vendosen barrikada në Veri
Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar të mërkurën fletarrestime për Millan Radojçiçin dhe 10 të dyshuar të tjerë, në lidhje me ngritjen e barrikadave në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe në vitin 2022.
Radojçiç dhe 50 të dyshuar të tjerë janë duke u hetuar pasi dyshohet se kanë minuar rendin kushtetues të Kosovës dhe kanë marrë pjesë në protestat dhe ngritjen e barrikadave në veri të vendit në vitin 2022.
"Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letërrreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Millan Radojçiç.
Urdhërarresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022”, tha për media zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
Radojçiç, i cili veçse kërkohet në Kosovë për krime lufte dhe për sulmin në Banjskë, ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, në kohën kur dyshohet se ka kryer veprën penale më 2022. Miratimi i kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për lëshimin e fletarrestimeve për të dhe të tjerët vjen në ditën kur dëgjimi i kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek, para Prokurorisë Speciale në Prishtinë u shty, pasi avokati i tij ishte sëmurë.
Lista Serbe reagoi të mërkurën ndaj këtij vendimi, duke thënë se “me dëbimin e policëve serbë të lindur dhe që kanë jetuar për dekada në Kosovë, me shpalljen e fletarrestimeve dhe me marrjen në pyetje të dhjetëra serbëve për protestat paqësore të mbajtura në vitin 2022, Albin Kurti po zbaton me shpejtësi dhe pa fshehje një plan për spastrimin etnik të popullit serb nga territori i Kosovës”.
“Bëhet fjalë për dhunë institucionale që po ushtron presion të paparë ndaj serbëve të ndershëm, të cilët nuk heqin dorë nga emri dhe mbiemri i tyre serb, që nuk pranojnë të jenë shërbëtorë të Kurtit dhe që tani janë bërë shënjestër vetëm pse janë serbë”, tha Lista Serbe.
Më 10 dhjetor të vitit 2022, në veri të Kosovës u ngritën barrikada për shkak të arrestimit të Dejan Pantiqit, një ish-zyrtar i policisë, të cilin autoritetet e Kosovës e akuzuan për pjesëmarrje në sulmin ndaj ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës. Ato barrikada u hoqën më 29 dhjetor, pas thirrjes së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe pasi Pantiq u dërgua në arrest shtëpiak.
Barrikadat pasuan një sërë incidentesh dhe tensionesh të shtuara, pasi serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri në fillim të nëntorit, 2022, me iniciativën e Listës Serbe. Kjo e fundit kundërshtoi atëkohë vendimin e Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe të makinave me targa të Republikës së Kosovës.