Edi Rama i la afat deri sot, drejtorët e Elbasanit japin DORËHEQJEN një për një
Drejtorët në Bashkinë e Elbasanit kanë pasur të njëjtin “fat” si kolegët e tyre në bashkitë e tjera të vendit.
Burime për mediat bëjnë me dije se dy ditë pas ultimatumit që kreu i qeverisë Edi Rama i vendosi kryebashkiakut të Elbasanit, Gledian Llatjas, drejtorët e tij kanë dhënë dorëheqjen.
Dorëheqjet masive pritet t’i hapin rrugë emërimeve të reja të cilat sipas burimeve pranë qeverisë do të kryhen mbi bazën e meritokracisë dhe integritetit profesional.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama përgjatë javëve të fundit është ndalur në disa bashki të vendit ku dhe ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve si dhe u ka tërhequr “veshin” kryebashkiakëve për ndërtimet pa leje që janë bërë në qytetet e tyre dhe zaptimin e ambienteve publike.
Madje, jo më larg se dy ditë më parë, kreu i qeverisë u vendosi ultimatum kryebshkiakëve që të gjithë kryetarët e njësive të japin dorëheqjen dhe se deri ditën e hënë, sot, të njëjtin “fat” si drejtorët e Durrësit, Fierit dhe Vlorës do i duhen të kenë edhe drejtorët e Bashkisë Elbasan dhe Lushnjë.
Kryeministri ka theksuar nevojën për energji dhe prurje të reja në administratë, si e vetmja mënyrë për t’u qasur sfidave të kohës.