Konfiskohet pallati në Vlorë, Dallëndyshe Bici: Ndërtesa kalon shtetit, këtë fat do të kenë të gjithë ata me shkelje
Drejtoresha e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, mori pjesë në inspektimet në Vlorë ku së bashku me punonjësit e IKMT-së i vendosën “shiritin” një pallati në ndërtim në qytetin bregdetar.
Për mediat, Bici u shpreh se kjo ndërtesë do t’i kaloj shtetit, ndërkohë paralajmëroi që të njëjtin “fat” do të kenë të gjitha objektet të cilat rezultojnë me leje ndërtimit, por që e kanë shkelur atë duke cënuar në mënyrë flagrante interesin publik dhe pronën e përbashkët.
“Në vazhdën e kontrolleve ashtu si he ka ndodhur me objekte të tjera më parë ky objekt do të konfiskohet dhe do ti kalojë shtetit për interes publik.
Jam këtu për t'iu bërë me dije se të njëjtin fat do të kenë të gjitha ato objekte që rezultojnë me leje ndërtimi por që kanë ndërtuar në shkelje brutale të lejes së ndërtimit duke cënuar interesin publik dhe pronën e përbashkët”, tha Bici, teksa më tej theksoi se Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të vijojë punën në të gjithë Shqipërinë me qëllim për të çliruar hapësirat publike të cilat janë zaptuar në shkelje flagrante të ligjit.
“IKMT do të vijojë punën në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë për të inspektuar objektet me apo pa leje ndërtimi me qëllim për të garantuar respektimin e ligjit sigurimin e komunitetit dhe interesin publik”, theksoi Bici.