“Për një EKG vdiq kunati im 38 vjeç në Lushnje”, Korreshi tregon rastin tragjik dhe akuzon ministrinë, Sala: Spitali është përfshirë në...

Politikë

“Për një EKG vdiq kunati im 38 vjeç në

Deputeti demokrat i Lushnjës, Saimir Korreshi, ka ngritur sërish shqetësime për gjendjen e sistemit shëndetësor, duke u ndalur te problematikat në spitalin e qytetit që ai përfaqëson.

Gjatë fjalës së tij, Korreshi akuzoi Ministrinë e Shëndetësisë për neglizhencë dhe mungesë investimesh, ndërsa tregoi edhe një rast personal në familjen e tij. Ai tha se kunati i tij, 38 vjeç, humbi jetën pak kohë më parë nga zemra, pasi sipas tij nuk u diagnostikua në kohë në spitalin e Lushnjës.

Sipas deputetit, i afërmi ishte paraqitur me urgjencë në spital pasi ishte ndjerë keq, por pas kontrolleve fillestare ishte kthyer në shtëpi. Korreshi pretendoi se mungesa e një ekoje të zemrës ndikoi në moszbulimin në kohë të problemit shëndetësor.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e reagimit të sistemit të urgjencës dhe akuzoi qeverinë për mungesë ndjeshmërie ndaj problemeve të qytetarëve.

Dhe po të tregoj një rast timin, se nuk e kisha bërë ndonjëherë politik, por po ta them… Kam pasur një humbje të madhe brenda familjes. Një muaj e gjysmë me parë shkon me urgjencë në spitalin e Lushnjes se i bie të fikët, i masin tensionin i bëjnë EKG, i thonë ik se nuk ke gjë. Për një EKO vdiq, sepse po të ishte konstatuar do ishte konstatuar me një eko zemër e zbardhuar dhe ai do ishte shpëtuar, se për kaq vdiq. Sepse kur unë mora 127 u përgjigj Tirana. ‘He ore qetësohu ti’, ‘ore jam deputeti, kam një rast 38 vjeç po vdes’, ‘duro të marrim Lushnjen, do të të marrë Lushnja ty në telefon’… Ç’është kjo more? Ju më tregoni shëndetësinë? Po ju8 keni qenë kafshë. Të merresh me jetën e njerëzve më së paku duhet të kesh dhembshuri të jesh ministër”, tha ai ndër të tjera.

Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, deklaroi se Spitali i Lushnjës është përfshirë në programin kombëtar të investimeve në infrastrukturën spitalore.

Sipas saj, godina e spitalit është ndërtuar para viteve ’90 dhe prej vitesh ka pasur amortizim të konsiderueshëm. Sala bëri të ditur se punimet për rikonstruksionin kanë nisur në mars të vitit 2026 dhe përfshijnë urgjencën, kirurgjinë, imazherinë dhe repartet mbështetëse.

Ministrja theksoi se investimi synon modernizimin e kushteve spitalore dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve gjatë rikonstruksionit, duke kundërshtuar akuzat e opozitës për neglizhencë në sistemin shëndetësor.

Spitali Bashkiak Lushnjë mbulon mbi 63 mijë banorë dhe funksionon në godina të ndërtuara para viteve ’90, të cilat për dekada kanë pasur amortizim të konsiderueshëm infrastrukturor dhe teknik. Kjo nuk është një problematikë e krijuar sot. Është një trashëgimi shumëvjeçare, që për vite me radhë nuk mori investimet e nevojshme.

Pikërisht për këtë arsye, Spitali i Lushnjës është përfshirë në programin kombëtar të investimeve në infrastrukturën spitalore, të financuar nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Investimi ka nisur gjatë vitit 2026 dhe punimet kanë filluar zyrtarisht më 4 mars. Fondi i planifikuar për  këtë vit është rreth 82 milion lekë, ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar rreth 236 milion lekë të tjera.

Ndërhyrja po realizohet në godinën nr. 3 të spitalit, ku funksiononin urgjenca, imazheria, kirurgjia, reanimacioni dhe patologjia. Paralelisht po kryhen ndërhyrje edhe në ambientet e lidhura me maternitetin dhe shërbimet mbështetëse, me synim përmirësimin e kushteve për nënat, të porsalindurit dhe pacientët në tërësi.

Ky nuk është një investim fasadë. Nuk është një lyerje muresh për fotografi propagandistike. Është një rikonstruksion i plotë infrastrukturor, që përfshin rehabilitimin e ambienteve spitalore, rikonstruksionin e rrjeteve teknike, përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare, rritjen e sigurisë teknike dhe modernizimin e kushteve diagnostikuese e trajtuese.

Natyrisht, një ndërhyrje e këtij niveli sjell përkohësisht vështirësi operative. Por pyetja është: çfarë duhet të bënim? Të mos investonim fare? Të lëmë godinat të degradohen? Apo të mbyllnim shërbimet për qytetarët?

Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, por më të përgjegjshme: të investojmë duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit.

Për këtë arsye është miratuar dhe po zbatohet një plan i përkohshëm riorganizimi dhe shërbimet e urgjencës, imazherisë, kirurgjisë dhe repartet e tjera vijojnë aktivitetin në ambiente të tjera funksionale të spitalit.

Ka një dallim të madh mes kritikës konstruktive dhe përpjekjes për të deformuar realitetin. Ne e mirëpresim kritikën që ndihmon për të përmirësuar sistemin. Por nuk mund të pranojmë retorikën që tenton të paraqesë spitalet publike si struktura të braktisura, ndërkohë që aty punohet çdo ditë, investohet çdo ditë dhe trajtohen mijëra qytetarë.

Është e lehtë të bësh opozitë me batuta. Më e vështirë është të ndërtosh spitale, të financosh aparatura dhe të mbash sistemin në punë gjatë rikonstruksionit, siç ne po bëjmë sot.

E ritheksoj edhe njëherë se, Spitali i Lushnjes është pjesë e një programi kombëtar investimesh në sistemin shëndetësor publik”, deklaroi ministrja Sala.

 

 

 

ME TE LEXUARAT