Modelja spanjolle rrëfen prapaskenat e festës së Yamal: “Ofruan deri në 20 mijë euro për vajza bionde me gjoks specifik”
Festa e 18-vjetorit të futbollistit të njohur spanjoll Lamine Yamal ka ngritur shumë pikëpyetje dhe dyshime pas rrëfimit të bujshëm të modeles spanjolle Klaudia Kalvo, e cila ka zbuluar publikisht kushtet e pazakonta të ftesës që i është bërë për të marrë pjesë në këtë event luksoz.
Në një intervistë për mediat spanjolle, Kalvo tregon se është kontaktuar nga një organizator i afërt me rrethin e Yamal dhe i është ofruar një shumë nga 10 mijë deri në 20 mijë euro për pjesëmarrjen në festë. Por më shqetësues është fakti që, sipas saj, përzgjedhja e vajzave ishte bërë mbi baza të qarta fizike dhe diskriminuese.
“Më kërkuan të merrja pjesë në festën e ditëlindjes së Lamine Yamal. Ofronin mes 10 mijë dhe 20 mijë euro për të shkuar, por nuk e di çfarë prisnin nga ne. Po kërkonin gra bionde, me përmasa shumë specifike të gjoksit. Nuk lejonin të merrnim telefonat me vete,” – ka deklaruar ajo.
Modelja shprehu gjithashtu shqetësimin për mungesën e transparencës dhe natyrën e paqartë të asaj që pritej të ndodhte në këtë festë të organizuar në kushte të rrepta sigurie dhe fshehtësie.
Kërkesa për të lënë telefonat jashtë ambientit të festës është parë si një masë për të shmangur rrjedhjen e informacionit dhe pamjeve që mund të komprometonin figurën publike të futbollistit.
Deri tani, Yamal dhe përfaqësuesit e tij nuk kanë bërë asnjë reagim zyrtar për deklaratat e Kalvos. Megjithatë, rrëfimi i saj ka shkaktuar debat të gjerë në rrjetet sociale, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si organizohen festat e figurave të njohura dhe përdorimin e vajzave të reja në aktivitete me qëllime të dyshimta.
Ky zhvillim vjen në një moment kulmor të karrierës së Yamal, i cili konsiderohet si një nga talentet më premtues të futbollit europian. Por festimet e ditëlindjes mund të rezultojnë një goditje e papritur për imazhin e tij publik.