EMRAT/ Tentuan t'i shpëtonin policisë duke u hedhur në det, dënohen me burg 3 të rinjtë nga Kamza

Aktualitet

EMRAT/ Tentuan t'i shpëtonin policisë duke u hedhur në det,

Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të rinj nga Kamza, të ndaluar të premten mbrëma në qytetin bregdetar teksa lëviznin me një automjet luksoz “Porsche Panamera”.

Me kërkesë të prokurores Hava Memko, gjyqtari Fatmir Ndreu vendosi sot ndalimin me burg për Endrit Doku (27 vjeç), Ervis Cukali (27 vjeç) dhe Imer Gega (21 vjeç).

Gjatë ndalimit nga forcat “Shqiponja” të Komisariatit të Policisë Sarandë, në rrugën “Butrinti”, njëri prej të ndaluarve, Endrit Doku, tentoi t’i shpëtonte policisë duke u hedhur në det bashkë me një çantë. Ai u kap nga një mjet i policisë kufitare, ndërsa një polumbar arriti të gjejë në thellësi çantën që përmbante një armë zjarri (pistoletë).

Ndaj Dokut rëndojnë akuzat për “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit” dhe “kundërshtim të punonjësit të rendit publik”. Ndërsa dy personat e tjerë, Cukali dhe Gega, u arrestuan për “moskallëzim të krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Nga verifikimet rezultoi se Ervis Cukali ishte në kërkim prej dy vitesh për akuzat “sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve luftarake”, lidhur me një ngjarje në Fier ku u zbuluan 21 kilogramë tritol.

 

 

 

 

ME TE LEXUARAT