Vrasja e Liridonës, detaje të reja! Ja çfarë rrëfyen fëmijët, si veproi Naim Murseli kur iu qëllu bashkëshortja
Vëllai i Liridona Ademajt e cila u ekzekutua në nëntor të vitit 2023 ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Leonard Ademaj ka rrëfyer përballë Naim Murselit i cili akuzohet si organizator i vrasjes së gruas së tij, edhe se si e kanë përjetuar fëmijët e Liridonës të cilët i ka takuar në Suedi.
Ademaj u shpreh se fëmijët i kanë pohuar se kanë qenë të pranishëm kur nëna e tyre u vra. Sipas Ademajt, fëmijët e Liridonës kanë bërë me dije se dikush nga jashtë makinës, ka futur dorën brenda mjetit dhe iu ka vrarë nënën. Ndërsa për Naim Murselin, babain e tyre, fëmijët janë shprehur se ai i mbante dorën ish-gruas e cila u qëllua me plumba.
“Kur kam shkuar në Suedi, kam kërkuar takim me fëmijët, takimi me ta ishte shumë prekës pasi që fëmijët në prezencë të psikologëve më treguan qe kanë qenë në veturë kur u vra Liridona. Fjalët e Diarit, janë këto: Hajni e ka futur dorën dhe ja ka bërë mamit bam. Po ashtu, tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e fundit të vrasjes. Gjithashtu përditësimin e të dhënëve të tyre, të cilin e marrë unë, fjalët e tyre janë të po këtij lloji”, deklaroi Vëllai i Liridonës.
Gjatë seancës gjyqësore Leonard Ademaj ka replikuar edhe me Naim Murselin, i cili akuzohet si organizator i vrasjes së Liridona Ademajt. Ademaj është shprehur se Liridona pak muaj para se të vritej, është rrëfyer duke thënë se Naim Murseli e kishte tradhtuar. Leonardi i është përgjigjur edhe një pyetje të bërë nga Naim Murseli gjatë seancës gjyqësore.
“E kam një pyetje për Leonardin, për 12 vjet martesë a është ankuar ndonjëherë motra e tij për mua apo raportin tonë?”, pyet Naim Murseli.
“Jo nuk është ankuar, përveç që para disa muajve para se të ndodhte ngjarja, e kishte prekur shumë një aferë tradhtie e Naimit me një të afërm. Por që ajo vet e kishte e zgjidhur këtë punë me të dhe ne nuk e kemi kundërshtuar veprimet e saj“, përgjigjet Leonard Ademaj.
Naim Murseli pati pyetje edhe sa i përket motiveve që përmend në aktakuzë.
“Në aktakuzë prokurorja përmend dy motive, njëra që ka të bëjë me financa, dhe me kinse sigurim jetësor, që nuk dihet asgjë për atë sigurim jetësor, nuk dihet asgjë më tepër, motivi tjetër që thuhet është kinse Liridona më ka tradhtuar, cilit motiv i beson Leonard Ademaj”, deklaroi Naim Murseli.
Leonard Ademaj tha se akuza për tradhti ka ardh nga Naimi, derisa për motivin tjetër përmendi atë që thuhet në aktakuzë.
“Motivin kinse Liridona të ka tradhtuar, e ke thënë ti vetë, nuk e ka thënë prokuroria. Ndërsa sa i përket sigurimit, e din ti më mirë ku vlen se ja ke bërë vetëm asaj. E din mirë kur i ke thënë babit në shtëpi, ‘Hajdar ja kam maru një sigurim Liridonës qe nëse e gjen diçka përfitojmë shumë dhe fëmijët sigurohen. Përveç versionit të tradhtisë, dy versionet tjera i besoj plotësisht”, theksoi Leonard Ademaj.