Gjykata refuzon kërkesën e prindërve për hetimet mbi vdekjen e 3-vjeçarit: S’kanë të drejtë të ndërhyjnë në hetime
Gjykata Penale e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e prindërve të vogëlushit Brian Spahiu, 3 vjeç, i cili humbi jetën pas një ndërhyrjeje dentare në një klinikë private në tetor të vitit 2023.
Bledar dhe Ina Spahiu i ishin drejtuar gjykatës me kërkesën për të detyruar Prokurorinë të ofronte transparencë mbi ecurinë e hetimeve dhe t’u vinte në dispozicion dokumentet jo-sekret, përfshirë kartelën mjekësore të fëmijës dhe aktet e ekspertimit.
Gjykata e ka hedhur poshtë kërkesën, duke e argumentuar se familjarët e viktimës “nuk janë bashkë-ushtrues të hetimit penal” dhe për rrjedhojë nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në veprimet procedurale të Prokurorisë.
Përmes padisë së tyre, prindërit kishin kërkuar të njiheshin me rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, të njihnin emrat e ekspertëve dhe t’u drejtonin pyetje atyre që kanë kryer analizat. Avokati i familjes, Jordan Daci, deklaroi se mungesa e transparencës është alarmante dhe se familja ndodhet përballë një muri heshtjeje:
“Kërkojmë të na informojnë për fazën e hetimeve, të na japin kopje të akteve që nuk përbëjnë sekret dhe të na bëjnë me dije emrat e ekspertëve, qofshin edhe të huaj. Deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje mbi shkakun e vdekjes së Brianit dhe nuk dimë pse po shmanget Instituti i Mjekësisë Ligjore.”
Ngjarja ka ndodhur më 28 shtator 2023, kur 3-vjeçari Brian iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në klinikën “Splendent”, që operon brenda një spitali privat në Tiranë. Tre ditë më vonë, më 1 tetor, ai ndërroi jetë në reanimacionin e Pediatrisë në QSUT.
Për këtë çështje janë në hetim në gjendje të lirë dy persona: Roland dhe Ina Xhaxho, babë e bijë, të cilët akuzohen për “neglizhencë në trajtimin mjekësor”. Akuza hyn në kategorinë e kundërvajtjeve penale dhe nuk parashikon masë sigurie me burg në fazën paraprake.
Ndërkohë, familja e vogëlushit Spahiu vazhdon të kërkojë përgjigje dhe drejtësi për humbjen e djalit të tyre, në një proces që po zvarritet dhe ku, sipas tyre, institucionet po shmangin përgjegjësinë.