Sinjalistikë ndaluese në rrugë, policia monitoron akset alternative pas bllokimit të aksit Librazhd-Pogradec

Rritja e fluksit të qarkullimit pas shembjes së rrugës kombëtare në Dragostunjë të Librazhdit, ka detyruar institucionet të forcojnë masat e sigurisë rrugore.
Bashkia Librazhd, në bashkëpunim me policinë e Elbasanit, ka vendosur sinjalistikë ndaluese për mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët mbi 40 pasagjerë, duke u ndaluar qarkullimin në akset rurale Spathar – rruga antike Egnatia – Dardhë – Hotolisht dhe në segmentin Dragostunjë – Hotolisht, për të shmangur mbingarkesën e tyre.
Monitorimi në terren po kryhet 24 orë, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shtuar sinjalistikën orientuese në aksin alternativ Elbasan – Gramsh – Lozhan – Maliq.
Ndërkohë, segmenti i dëmtuar në Arrat e Gurrës është bllokuar plotësisht në një perimetër mbi 3 kilometra, për të garantuar sigurinë dhe vijimin e punimeve.


