U përplas për vdekje teksa lëvizte me biçikletë/ Identifikohet viktima e aksidentit në Shkodër (EMRI)

Policia ka dhënë detaje lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi në unazën perëndimore të qytetit të Shkodrës, humbi jetën një person.
Bëhet fjalë për Shkëlqim Krasniqi, 62 vjeç, i cili humb jetën nga përplasja mes dy makinave. Krasniqi ishte duke lëvizur me biçikletë në anë të rrugës, ndërsa paralel me të po lëvizte një makinë e bardhë “Ford”, që drejtohej nga Fatbardh Lishi. Përballë tyre me shpejtësi vjen një makinë tip “Benz”, e drejtuar nga Adnand Galica, i cili sapo kishte bërë një parakalim, por për shkak të shpejtësisë është përplasur kokë më kokë me makinën tjetër. Ndërkohë bëhet me dije, se, dy drejtuesit e automjeteve janë dëmtuar lehtë.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Informacion paraprak. Rreth orës 08:10, në unazën perëndimore të qytetit të Shkodrës, automjeti me drejtues shtetasin A. G. ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin F. L. dhe më pas ka përplasur edhe një shtetas që lëvizte me biçikletë.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën shtetasi që lëvizte me biçikletë, rreth 50 vjeç, si dhe janë dëmtuar lehtë të dy drejtuesit e automjeteve. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e rrethanave të aksidentit.


