PD dhe PS arrijnë marrëveshje për rregulloren e Kuvendit/ Çfarë u vendos në mbledhjen me dyer të mbyllura

Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren ka miratuar me konsensus ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.
Drafti pritet të kalojë për votim në seancë plenare. Marrëveshja përfshin lëshime nga të dyja palët, ku PS ka tërhequr disa propozime të kundërshtuara nga opozita, ndërsa PD ka arritur të forcojë disa mekanizma të kontrollit parlamentar.
Nga ana e saj, mazhoranca hoqi dorë nga propozimi që projektligjet e lidhura me integrimin europian të shqyrtoheshin me procedurë të përshpejtuar brenda një jave. Po ashtu u tërhoq edhe nga përgjysmimi i kohës së diskutimeve në seancat plenare.
PS pranoi gjithashtu që të gjitha institucionet me detyrime kushtetuese të raportojnë në Kuvend dhe jo vetëm në Komisionin e Posaçëm të drejtuar nga Fatmir Xhafaj. Raportimet vjetore do të zhvillohen në komisionet parlamentare sipas fushës përkatëse.
Nga ana tjetër, opozita siguroi disa ndryshime që lidhen me të drejtat e pakicës parlamentare. Kryetari i Kuvendit do të jetë i detyruar t’u kërkojë institucioneve përgjigje brenda 5 ditëve dhe mund të propozojë masa disiplinore deri në shkarkim në rast mosreagimi.
Gjithashtu, kryetarët e komisioneve do të duhet të thërrasin mbledhje ose seanca dëgjimore brenda dy ditëve nga kërkesa e opozitës.
Ndryshimet parashikojnë edhe mundësinë që seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të vijojë ditën pasardhëse me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar.
Një tjetër ndryshim lidhet me masat disiplinore ndaj deputetëve, të cilat do të pezullohen automatikisht në rast ankimi në Byronë e Kuvendit dhe do të llogariten me ditë kalendarike, jo më me ditë pune.


