"Është shkelur Kushtetuta", Berisha: Nuk ka ndodhur në 35 vite që kryeministri të ...

Kreu i PD, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama nga foltorja e Kuvendit se po shmang përgjegjësinë parlamentare dhe nuk po paraqitet në interpelancat e kërkuara nga deputetët.
Sipas Berishës, mosparaqitja e kryeministrit përbën shkelje të Kushtetutës, konkretisht nenit 80, i cili sipas tij e detyron kreun e qeverisë të përgjigjet në Kuvend kur kërkohet nga deputetët.
Ai deklaroi se kjo situatë po përsëritet prej herësh dhe se Parlamenti, sipas tij, po del jashtë rendit kushtetues për shkak të mungesës së kryeministrit në seanca.
Berisha kritikoi gjithashtu qeverinë për varfërinë dhe korrupsionin, duke ngritur akuza për projekte publike dhe shpenzime të mëdha, përfshirë edhe udhëtimet me avion të kryeministrit, të cilat i cilësoi të kushtueshme.
Ai përmendi edhe disa projekte infrastrukturore dhe investime publike, duke pretenduar se janë shoqëruar me abuzime financiare dhe mungesë transparence.
"Është bërë si kurrë ndonjëherë në 35 vite: kreu i ekzekutivit, i tmerruar nga vetja e tij, nuk guxon të dalë në këtë platformë para qytetarëve dhe deputetëve për krimet e rënda, për problematika madhore që mbajnë autorësinë e tij. Ndërkohë, shqiptarët rrokullisen çdo muaj e më shumë në varfëri.
Pse nuk vjen? Sepse mali i fakteve dhe dokumenteve e “gripos” atë. Sepse ai vetë është kreu i sistemit korruptiv. Dhe sepse aferat e tij korruptive nuk lejohen të hetohen. Ku është djegësi i Tiranës, 130 milionë euro? Ku është impianti i përpunimit të ujërave të zeza, 120 milionë euro kredi japoneze?
Si kujton se nuk do të ketë skepticizëm dhe mosbesim maksimal? Shikoni treguesit e investimeve, realizimit: 5%, ndër më të ultit në botë. Ku shkojnë të tjerat? Vidhen. Në 15 projekte, vetëm 1 realizohet",- tha Berisha ndër të tjera.


