“Izraeli ka të drejtë të mbrohet”, Von der Leyen fajëson Iranin: S’mund të ketë armë bërthamore
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka drejtuar gishtin nga Irani duke i konsideruar si fajtorët kryesorë në sulmet e ditëve të fundit përballë Izraelit.
Së fundmi ajo ka zbuluar bisedën telefonike që zhvilloi me kryeministrin Benjamin Netanyahin, ku mësohet se i ka thënë se diplomacia ishte në fund të fundit më e mira për Iranin, por nuk bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Von der Leyen tha se ishte dakord me Netanyahun se “Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, pa asnjë dyshim”.
“Sigurisht që mendoj se një zgjidhje e negociuar është, në planin afatgjatë, zgjidhja më e mirë”, tha ajo në një konferencë për shtyp në samitin e Grupit të Shtatë në Kananaskis të Kanadasë.
Von der Leyen, e cila ka qenë kritike ndaj Izraelit për ofensivën e tij në Gaza, ia hodhi fajin për konfliktin e ri Iranit. Ajo tha se samiti i G7 duhet të diskutojë krizën e Iranit së bashku me Ukrainën, e cila është goditur nga dronë të shitur Rusisë nga shteti i drejtuar nga klerikët e Teheranit.
“Të njëjtat lloje dronësh dhe raketash balistike të projektuara dhe të prodhuara nga Irani po godasin pa dallim qytetet në Ukrainë dhe në Izrael. Si të tilla, këto kërcënime duhet të adresohen së bashku”, tha ajo.
Mëngjesin e së premtes Izraeli nisi një sulm të papritur dhe masiv ushtarak ndaj Iranit, duke synuar vendet bërthamore dhe ushtarake dhe udhëheqësit ushtarakë, si dhe vendet e magazinimit dhe prodhimit të armëve.
Irani është përgjigjur me breshëri raketash dhe dronësh drejt Izraelit, shumica e të cilave janë penguar nga sistemi i mbrojtjes ajrore, megjithëse disa raketa kanë kaluar duke goditur qytete, ku si pasojë ka pasur viktima si dhe të plagosur.