Zegjine Çaushi nis replikat me Bardhin: Babu bufi jeton që të të shohë ty rrugëve duke u tërhequr zvarrë o lumadh
Deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi, ironizoi sërish drejtuesin politik të Partisë Demokratike në këtë qark, Gazment Bardhin.
Ajo publikoi një video, pas përfundimit të seancës plenare, ku Bardhi e ironizoi. “Të dogji malli për mua”, i drejtohet deputetja e re demokratit, teksa kujton se së shpejti do të jetë në Kuvend. Po ashtu, Çaushi ‘paralajmëron’ Bardhin se kryedemokrati Sali Berisha mund ta zëvendësojë.
“O Gazo, o heroi i PD-së! Më thanë që të ka ardhur zëri prapë, ke filluar e thua Zegjineja, Zegjineja… T’u dogj xhani për mua o yll? Do vëmendje ti në këtë pisk vape? Pa merak, se ta plotësoj unë dëshirën! Të ka ardhur zëri në parlament ty o Gazo? Mendon se Baba Bufi është plak i motshëm dhe harron? Por, jo!
E mendon çfarë i bëre ti në 11 maj. Babu bufi jeton që të të shohë ty rrugëve duke u tërhequr zvarrë o lumadh. Kisha vendosur të të loija të qetë në trishtimin tënd këtë verë të nxehtë, por nuk rri dot pa mua ti o Gazi im.
Të është bërë si ilaç, e do mëngjes, drekë, darkë. Edhe pak javë na ndajnë dhe do më kesh në sallë të parlamentit, në komisione, në takime e kudo.
Do të jemi bashkë katër vite. Po të la Baba Bufi, se më kanë ardhur fjalë që do të të heqë… ndoshta të kërkon t’ia lësh vendin Gentit”, shprehet Zegjine Çaushi.