Pagesa e ashensorit bëhet me detyrim, hyjnë në fuqi rregulla të reja, paratë do të administrohen nga...
Qeveria ka miratuar një ligj të ri për bashkëpronësinë me të cilin synon të forcojë rregullat për të pasur një menaxhim të mirë të pronës së përbashkët, si dhe më shumë mundësi për riparime apo rinovime që nga ashensorët e deri tek rregullimet e fasadave.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, shpjegoi sonte në “Top Story” rregullat e reja, që do të legjitimojnë administratorët e pallateve dhe do t’i bëjnë pagesat mujore të detyrueshme me ligj!
“Do të krijojmë së pari një listë me administratorët, se ka qenë një person që ligji e njihte, por kur dikush nuk donte t’i jepte paratë, nuk kishte çfarë të bënte.
Administratori merr një numër Nipt-i pranë institucioneve dhe kështu ka mundësi të xhirojë një faturë, që është një titull ekzekutiv. Nuk ka më nevojë të thotë s’të jap çipin nëse nuk bën pagesën mujore. Ajo faturë mban disa elementë, është detyrim fiskal për t’u paguar nga qytetari”, tha Mazniku.
Sipas tij, administratori i pallatit do të ketë mundësi të hapë edhe një llogari bankare, ku përveç kostove mujore për pastrimin, ashensorin apo shërbime të tjera në pallat, të ruajë edhe një fond rezervë.