Ndryshimet klimatike shkaktonë 2300 humbje jete në Europë
Një valë ekstreme e të nxehtit që përfshiu Europën nga fundi i qershorit deri në fillim të korrikut shkaktoi rreth 2300 vdekje në 12 qytete të mëdha europiane, sipas një studimi të fundit shkencor.
Pothuajse 1500 prej këtyre vdekjeve, sipas ekspertëve, kanë ardhur si pasojë direkte e ndryshimeve klimatike.
Studimi është kryer nga hulumtues nga Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Holanda dhe Zvicra, të cilët analizuan të dhënat nga 23 qershori deri më 2 korrik 2024.
Ata krahasuan temperaturat reale të regjistruara në këtë periudhë me ato që do të ishin regjistruar në mungesë të ngrohjes globale, për të llogaritur ndikimin e klimës në shëndetin publik.
Sipas të dhënave, temperaturat në disa qytete tejkaluan 40 gradë Celsius, dhe në përgjithësi janë rritur nga 1 deri në 4°C për shkak të ndryshimeve klimatike. Studiuesit bënë të ditur se pa efektin e ngrohjes globale, numri i vdekjeve do të ishte rreth 800.
Analiza tregon se dy të tretat e vdekjeve që ndodhën në këtë valë të nxehti do të ishin shmangur, nëse temperaturat nuk do të ishin përshkallëzuar nga ndryshimet klimatike.
Ky raport e përforcon më tej paralajmërimin se kriza klimatike nuk është më një kërcënim abstrakt, por një realitet që po vret njerëz konkretisht, dhe në numra masivë në qytetet më të zhvilluara të botës.