Vetëvrasja misterioze e ministrit të Putin! Shtohet frika për elitat politike të Moskës
Ministri i Transportit i Rusisë, Roman Starovoyt, u gjet i vdekur. Presidenti Putin e kishte shkarkuar 53-vjeçarin nga detyra pak më parë. Rrethanat dhe pasojat janë të paqarta.
Lajmi alarmoi elitat e Rusisë, thonë komentuesit rusë: Më 7 korrik, trupi i Roman Starovoit u gjet me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në qytetin e distriktit Odintsovo në rajonin e Moskës. Vetëm disa orë më parë, ministri i Transportit u shkarkua nga Putini.
Komiteti Hetues rus dyshon për vetëvrasje, raportojnë mediat ruse.
Motivi i mundshëm: po përgatiten procedura penale kundër Starovoit për përvetësim të dyshuar të fondeve buxhetore gjatë ndërtimit të fortifikimeve në rajonin Kursk në kufirin me Ukrainën. Përpara emërimit të tij si ministër i Transportit, Starovoit shërbeu si guvernator atje.
Vetëm pak ditë para vdekjes së tij, Starovoit i kishte raportuar personalisht Putinit mbi zhvillimin e një rrjeti aeroportesh të projektuara për të rritur kapacitetin e aviacionit rus. Starovoit dukej po aq i sigurt dhe i qetë sa gjithmonë. Në qershor, në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, ai foli me entuziazëm për projektet e reja të investimeve dhe e bëri të qartë se donte të përfshihej në zbatimin e tyre.
Karriera falë oligarkëve?
Roman Starovoit lindi në Kursk. Babai i tij punonte në termocentralin bërthamor lokal. Starovoit kreu fakultetin në Shën Petersburg, ku më vonë punoi në ndërtim përpara se të hynte në shërbimin civil.
Në qeverinë e Shën Petersburgut, ai mbikëqyri projektet e investimeve dhe me sa duket punoi me struktura të lidhura me familjen Rotenberg. Vëllezërit Arkady dhe Boris Rotenberg janë oligarkë dhe konsiderohen njerëz të ngushtë të besuar të presidentit Vladimir Putin. Sipas politologut Abbas Galyamov, mbështetja e Rotenbergëve ishte thelbësore për karrierën e mëtejshme të Starovoit. Në vitin 2018, Vladimir Putin e emëroi atë guvernator të përkohshëm të rajonit Kursk.
Ai u zgjodh zyrtarisht më vonë në këtë detyrë, por në vitin 2024, me sugjerimin e kryeministrit Mikhail Mishustin, ai u transferua në Kremlin. Zëvendësi i Starovoit, Alexei Smirnov, u bë guvernatori i ri i Kurskut.